QEVERIA MIRATON ARBITRAZHIN PËR NDARJEN E TERRITORIT DHE PASURISË MES PODGORICËS DHE TUZIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar informacionin për procesin e ndarjes territoriale dhe të pasurisë mes Kryeqytetit Podgoricë dhe Komunës së Tuzit, duke propozuar formimin e një arbitrazhi pasi palët nuk arritën marrëveshje për këto çështje.

Vendimi për arbitrazh u mor pas dështimit të përfaqësuesve të Tuzit dhe Podgoricës për të rënë dakord mbi ndarjen e territorit dhe pasurisë në kuadër të punës së Komitetit Organizativ për krijimin e kushteve për funksionimin e komunës së Tuzit.

Sipas dokumentit të Qeverisë, arbitrazhi do të përbëhet nga numër i barabartë përfaqësuesish të palëve në mosmarrëveshje, përfaqësues të Qeverisë dhe një ekspert të fushës së së drejtës pronësore, i cili do të jetë edhe kryetar i arbitrazhit.

Mënyra e punës dhe vendimmarrjes së këtij organi do të përcaktohet me një akt të veçantë të vetë arbitrazhit.

Për anëtarë të arbitrazhit, kryetari i Komunës së Tuzit ka propozuar Nik Gjeloshaj, Emin Haxhi dhe Nermin Alibashiq, ndërsa kryetari i Podgoricës ka propozuar Milica Kadoviq, Gavrilo Vukoviq dhe Balsha Shpadijer.

Drejtori i Drejtorisë për Patundshmëri ka propozuar Dragana Stanishiq si eksperte për të drejtën pronësore.

SHARE