GJOKAJ: ZETA DO TË PRESË PËRFUNDIMIN E ARBITRAZHIT MES TUZIT DHE PODGORICËS

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryetari i komitetit për demarkacionin midis Kryeqytetit dhe komunës së Zetës, Naim Gjokaj, deklaroi se puna e komitetit organizues për demarkacionin midis Kryeqytetit dhe komunës së Zetës do të rifillojë pasi të përfundojë procesi i arbitrazhit midis komunës së Tuzit dhe Podgoricës.

Gjokaj për „Vijesti“ tha se të dy palët në këtë proces, kanë dorëzuar deri më 2 mars dokumentet për arbitrazh, mbi bazën e të cilave do të formohet komisioni i arbitrazhit.

“Komisioni i arbitrazhit do të ketë një numër të njëjtë përfaqësuesish nga Kryeqyteti dhe Tuzi, një përfaqësues nga Qeveria dhe një ekspert për çështjet pronësore-ligjore”, tha Gjokaj.

Ai theksoi se me vendimin për formimin e komisionit arbitrazhi do të përcaktohet edhe afati brenda të cilit procesi duhet të përfundojë.

Arbitrazhi u bë i nevojshëm pasi përfaqësuesit e Tuzit dhe Kryeqytetit nuk arritën të bien dakord mbi ndarjen e territorit dhe pronësisë.

Në takimin e fundit të komitetit organizues u vendos që të kalojnë në këtë hap.

Gjokaj kishte theksuar më herët për mediat se roli më i madh brenda komisionit arbitrazhi i takon ekspertit të fushës të së drejtës pronësore, i cili, nëse nuk arrin të bashkojë të dyja palët në një marrëveshje, ka fjalën përfundimtare, gjë që do të përcaktohet me vendime të veçanta.

Vendimi i arbitrazhit është përfundimtar dhe ka fuqi të barabartë me një marrëveshje gjyqësore, dhe kundër tij nuk ka të drejtë ankese.

Ministria e Administratës Publike ka mirëpritur vendimin e Kryeqytetit dhe komunës së Tuzit për t’i besuar çështjet e shënjimit të kufijve dhe ndarjes së pronës arbitrazhit.

“Është hapur rruga për zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje të rëndësishme, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të sigurisë ligjore dhe krijimit të kushteve për zhvillim për të dy njësitë e qeverisjes lokale”, shkroi ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, në rrjetin X.

SHARE