STUHIA NILS LË PAS VIKTIMA DHE SHKATËRRIME NË FRANCË DHE SPANJË, MIJËRA FAMILJE PA ENERGJI

Stuhia e fuqishme Nils ka shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha në Francë dhe Spanjë, ndërsa sistemi i motit ekstrem po lëviz drejt Evropës Lindore.

Deri tani raportohet për tre viktima, dhjetëra të plagosur dhe qindra mijëra familje pa energji elektrike.

Një burrë humbi jetën në departamentin Tarn-et-Garonne pasi ra nga një shkallë në kopshtin e tij gjatë stuhisë, konfirmoi një zëdhënës qeveritar për televizionin TF1. Një ditë më parë, një shofer kamioni u vra nga një degë peme e rrëzuar nga era.

Në rajonin e Katalonjë, një grua 46-vjeçare ndërroi jetë pasi çatia e një magazine industriale u shemb në Barcelona. Autoritetet rajonale njoftuan se ajo u transportua në spital në gjendje kritike, por nuk arriti të mbijetojë. Aktualisht gjashtë persona mbeten të shtruar në spital, katër prej tyre në gjendje të rëndë.

Erërat që shoqëruan stuhinë arritën mbi 100 km/orë, duke shkulur pemë, dëmtuar ndërtesa dhe ndërprerë trafikun ajror në zonat e prekura. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Në Francë, stuhia ka lënë pesë persona të plagosur rëndë dhe 21 të tjerë me lëndime të lehta, ndërsa shërbimet e emergjencës ndërhynë në rreth 4,500 raste. Sipas operatorit energjetik Enedis, rreth 450 mijë familje vazhdojnë të jenë pa energji elektrike.

Stuhia vjen vetëm pak ditë pasi stuhitë Leonardo dhe Marta shkaktuan përmbytje masive në Andaluzi, duke detyruar evakuimin e mijëra banorëve. Ndërkohë, meteorologët paralajmërojnë për një tjetër stuhi, Oriana, e cila pritet të sjellë reshje të dendura, borë dhe det të trazuar.

Portugalia dhe Spanja konsiderohen ndër vendet evropiane më të ekspozuara ndaj ndryshimeve klimatike, për shkak të valëve të gjata të të nxehtit dhe episodeve gjithnjë e më intensive të reshjeve ekstreme.

SHARE