MILLATOVIQ: MIRATIMI I LIGJIT ËSHTË SINJAL I FUQISHËM I MBËSHTETJES AMERIKANE

Foto: predsjednik.me

Miratimi i Ligjit për Demokraci dhe Prosperitet në Ballkanin Perëndimor do të jetë një sinjal i fuqishëm i mbështetjes amerikane për zhvillimin tonë demokratik, sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin e gjithanshëm, duke hapur hapësirë për nisma të reja të përbashkëta dhe forcim të mëtejshëm të partneritetit.

Kështu deklaroi Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, gjatë vizitës së tij pune në Uashington, me rastin e shënimit të 120-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mlilatoviq u takua me senatorin Stiv Daines dhe senatoren Jeanne Shaheen.

“Bashkëbiseduesit shprehën mbështetje të fuqishme dhe të qartë për rrugën tonë evropiane dhe theksuan se marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe SHBA-së, të ndërtuara përmes më shumë se një shekulli bashkëpunimi, bazohen në besim, vlera dhe interesa të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të Presidentit.

Një nga temat kryesore të takimeve ishte Ligji për Demokraci dhe Prosperitet në Ballkanin Perëndimor, miratimi i të cilit në Senatin amerikan pritet deri në fund të vitit.

Senatorja Shaheen, nismëtare e këtij akti, theksoi se Ligji do të sjellë nxitje të reja për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Malit të Zi dhe SHBA-së, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit institucional, reformave, stabilitetit rajonal dhe mbështetjes afatgjatë për projektet zhvillimore.  

Millatoviq vlerësoi se ky ligj do të hapë një fazë të re në marrëdhëniet mes dy shteteve.

“Miratimi i Ligjit do të jetë një sinjal i fuqishëm i mbështetjes amerikane për zhvillimin tonë demokratik, sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin e gjithanshëm, duke hapur hapësirë për nisma të reja të përbashkëta dhe forcim të mëtejshëm të partneritetit”, deklaroi ai.

Ata diskutuan edhe për thellimin e mëtejshëm të lidhjeve politike, ekonomike dhe të sigurisë, duke përfshirë forcimin e bashkëpunimit brenda aleancës së NATO-s.

Presidenti Millatoviq i informoi bashkëbiseduesit për proceset kryesore reformuese në Mal të Zi, duke theksuar se ndërtimi i institucioneve të forta, të pavarura dhe profesionale, si dhe forcimi i qëndrueshëm i sundimit të ligjit, janë themelet e rrugës evropiane të Malit të Zi dhe parakusht për stabilitet dhe zhvillim afatgjatë.

Presidenti i drejtoi senatorëve një ftesë zyrtare për të vizituar Malin e Zi dhe ata shprehën gatishmërinë që kjo vizitë të realizohet, duke vlerësuar se do të forconte më tej partneritetin dhe do të nxisë nisma të reja të përbashkëta me rëndësi strategjike për të dy shtetet.

SHARE