RAMA: BALLKANI NUK ËSHTË PIKA E DOBËT E EVROPËS, POR MUNDËSIA E RE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka nisur diskutimin të premten, në cilësinë e nikoqirit, duke thënë se Ballkani Perëndimor ka vendosur të ecë përpara, së bashku me Planin e Rritjes, si udhërrëfyes të bashkëndarë.

“Një udhërrëfyes jo drejt Brukselit, por drejt lirive dhe mundësive të tregut të përbashkët evropian, të cilit qytetarët tanë i përkasin prej historisë, gjeografisë dhe fatit”.

Sipas tij, kur mundësitë të rriten në Ballkan, Evropa do të bëhet një destinacion bashkëpunimi, jo një rrugë ikjeje.

“Ballkani Perëndimor nuk është pika e dobët e Evropës, por mundësia e re”, ka thënë mes tjerash Rama.

Rama i është drejtuar Komisionares Kos, duke thënë se rajoni nuk po lutet, edhe as nuk po kërkon lëmoshë që të anëtarësohet në BE.

“Për sigurinë e Evropës, zgjidhni ballkanasit, se mund të jemi truproja të Evropës, dhe ashtu Evropa do të jetë shumë më e qetë”.

Në raportet e Progresit, të përpiluara nga BE-ja për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, është theksuar se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë përparim të madh në rrugën drejt BE-së, dhe që mund të jetë i arritshëm synimi për anëtarësim në bllok deri më 2030.

Për Serbinë ka pasur kritika, ndërsa Kosovës i janë bërë një varg rekomandimesh, ndonëse ajo as nuk e ka statusin e vendit kandidat, ani pse ka aplikuar më 2022.

SHARE