ARMËPUSHIMI NUK I NDALON VRASJET NË GAZA / IZRAELI VIJON SULMET, 33 VIKTIMA NË 12 ORË

Sulmet izraelite në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, kanë vrarë pesë persona të enjten, duke e çuar në 33 numrin e të vdekurve nga sulmet ajrore në territorin palestinez brenda rreth 12 orësh – shumica gra dhe fëmijë.

Këto sulme po konsiderohen si më vdekjeprurëset që nga 10 tetori, kur hyri në fuqi armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-të.

Përshkallëzimi i ri erdhi pasi Izraeli njoftoi se trupat e tij ishin qëlluar një ditë më herët në Khan Younis. Sipas autoriteteve izraelite, asnjë ushtar nuk u vra dhe ushtria u përgjigj me sulme ajrore.

Katër sulme mbi tendat ku strehoheshin të zhvendosurit në Khan Younis, të kryera të mërkurën vonë dhe të enjten herët, shkaktuan vdekjen e 17 personave, përfshirë pesë gra dhe pesë fëmijë.

Hamas e dënoi sulmin duke e cilësuar si një “masakër tronditëse” dhe mohoi se kishte qëlluar drejt forcave izraelite.

Ushtria izraelite deklaroi se sulmet kishin në shënjestër dy figura të Hamasit: një komandant të njësisë detare dhe një tjetër përgjegjës për rrjetin e tuneleve në disa zona të Khan Younis.

SHARE