VIETNAMI GODITET NGA PËRMBYTJET/ DHJETËRA VIKTIMA DHE MIJËRA TË TJERË TË EVAKUUAR

Reshjet rekord të shiut që kanë rënë në Vietnamin qendror gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje të jashtëzakonshme, të cilat deri tani u kanë marrë jetën 52 personave, ndërsa raportohet edhe për të zhdukur.

Dëmet materiale vlerësohen mbi 100 milionë dollarë.

Ndërkohë, 68 mijë banesa janë përmbytur dhe mbi 70 mijë persona janë evakuuar. Bujqësia ka pësuar dëme të rënda: 15 mijë hektarë me oriz janë shkatërruar, ndërsa mijëra kafshë kanë ngordhur ose janë zhdukur. Rrugët janë dëmtuar rëndë nga rrëshqitjet e dherave, ndërsa infrastruktura hekurudhore dhe ajo ajrore është prekur në mënyrë serioze.

Qeveria ka mobilizuar forcat ushtarake dhe Mbrojtjen Civile për operacionet e shpëtimit dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Ndihma ndërkombëtare po ofrohet përmes organizatave si UNICEF, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin dhe Bashkimi Evropian, të cilat po mbështesin komunitetet më të prekura.

Sipas Qendrës Kombëtare të Hidro-Meteorologjisë, alarmet për reshje intensive mbeten aktive dhe pritet që shirat të vazhdojnë, duke rritur rrezikun për përmbytje të papritura, rrëshqitje dherash dhe dëme të mëtejshme.

SHARE