KOMUNA E TUZIT: LEJA PËR DEPONINË „LIVADE“ ËSHTË DHËNË NË MËNYRË TË PALIGJSHME

Komuna e Tuzit ka shprehur shqetësim dhe kundërshtim të fortë ndaj vendimit të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, e cila ka lëshuar lejen ndërtimore për deponinë “Livade”, në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me ligjet e shtetit.  

Në një reagim zyrtar, kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj deklaron: “Ky veprim është një shembull i qartë i mosrespektimit të ligjit dhe ndërhyrjes së papranueshme në kompetencat ekskluzive të Komunës së Tuzit“.

Sipas komunës, leja është dhënë bazuar në pëlqimin e dërguar Ministrisë nga Kryeqyteti Podgoricë, megjithëse lokacioni ndodhet qartë në territorin e Tuzit, ku Kryeqyteti nuk ka asnjë kompetencë ligjore.

Komuna e Tuzit thekson se Ligji për organizimin territorial dhe Ligji për vetëqeverisjen lokale përcaktojnë qartë se autorizimet urbanistike dhe teknike për projekte infrastrukturore në këtë territor janë kompetencë ekskluzive e Komunës së Tuzit.

“Vetë fakti që deponia „Livade“ i paguan taksa Komunës së Tuzit, e jo Kryeqytetit, vërteton se veprimi i Ministrisë dhe i Kryeqytetit është i paligjshëm,” thekson Gjelaj.

Komuna paralajmëron se me këtë veprim, Ministria dhe Kryeqyteti jo vetëm që anashkalojnë kompetencat lokale, por minojnë autonominë e vetëqeverisjes lokale dhe shkelin parimet kushtetuese dhe ligjore.

Për këtë arsye, komuna do të ndërmarrë veprime ligjore, duke kërkuar nga gjykatat kompetente të konstatojnë se leja ndërtimore është e paligjshme dhe nuk prodhon efekte juridike.

Po ashtu, do të kërkohet masë e përkohshme për pezullimin e punimeve deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Komuna e Tuzit gjithashtu njofton se opinioni publik, institucionet kompetente dhe partnerët ndërkombëtarë do të informohen për këtë çështje.

„Komuna e Tuzit do të mbrojë me vendosmëri dhe pa kompromis çdo pjesë të territorit të saj, në përputhje me ligjin.“

Në fund të njoftimit, kryetari Gjelaj shkruan: “Qytetarëve të Komunës Tuzit u them se, me forcat tona të përbashkëta dhe në përputhje me ligjin, do ta mbrojmë komunën tonë nga vendimet e paligjshme dhe do të ruajmë interesin publik, mjedisin dhe perspektivën zhvillimore të rajonit tonë. Komuna e Tuzit nuk do të lejojë që kushdo, jashtë ligjit, të vendosë për territorin dhe interesat e qytetarëve të saj.”

SHARE