Nesër më 17 shkurt, plotësohen 10 vite që kur Kuvendi i Republikës së Kosovës, shpalli Deklaratën e Pavarësisë në vitin 2008.
Në këtë mbledhje ku morën pjesë 109 deputetë nga gjithsej 120 deputetë, Kuvend i Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur duke u ndarë përfundimisht nga Sërbia.
Në deklaratën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës thuhej se duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën, ne udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.
Kjo ngjarje po konsiderohet si njëra ndër më të rëndësishmet këtë vit për Kosovën.
Nga zyra e Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, bëjnë të ditur që festimet për 10 vjetor të shtetësisë do të zgjasin pikërisht 10 ditë, nga data 8 e deri më 18 shkurt.
Organizimet do të mbahen nën patronatin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, me ndihmën edhe të Qeverisë së Kosovës.“Organizimet për këtë manifestim tashmë kanë filluar dhe ne si Qeveri, që jemi edhe pjesë e Këshillit Organizativ nën Patronatin e Presidentit të Kosovës, bashkërisht kemi vendosur që festa të zgjasë 10 ditë, nga data 8 deri më 18 shkurt, si simbolikë e 10 vjetorit të pavarësisë”, bëhet e ditur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.
Ndërkaq lidhur me 10 vjetorin Pavarësisë së Kosovës Ambasada e Kosovës në Mal të Zi, të ënjtën më 15 shkurt, në Hotelin “Centre Ville”, në Podgoricës, organizoi manifestim zyrtarë, ku ishin të ftuar dhe morën pjesë personalitete të shumta nga jeta politike, diplomatike, fetare dhe kulturore që veprojnë në Mal të Zi.