Foto: Forumi Shqiptar/Facebook/
Forumi Shqiptar ka njoftuar se u ka dërguar një letër ambasadorëve të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, si dhe ambasadorëve të vendeve partnere – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Shqipërisë dhe Kosovës, lidhur me “njëren prej çështjeve kyçe të zhvillimit demokratik të Malit të Zi: sigurimit të përfaqësimit të duhur dhe të qëndrueshëm politik të popujve pakicë, veçanërisht të komunitetit shqiptar”.
Në letrën, e cila në emër të Forumit Shqiptar është dërguar nga Nik Gjeloshaj, theksohet se shqiptarët në Mal të Zi përfaqësojnë një pakicë kombëtare dhe gjuhësore autoktone dhe të vetmen jo-sllave, e cila prej shekujsh kontribuon në zhvillimin dhe identitetin e shtetit tonë.
“Pavarësisht kësaj, përfaqësimi i tyre politik vazhdon të varet nga pragu elektoral i favorizuar dhe fragmentimi i votave, pa asnjë garanci kushtetuese apo ligjore. Një zgjidhje e tillë nuk është në përputhje me standardet evropiane dhe përfaqëson një burim të përhershëm të paqëndrueshmërisë politike”, thuhet në letrën e Forumit Shqiptar.
Ata theksojnë se praktika evropiane “tregon qartazi shembuj të ndryshëm”.
Në Slloveni, pakica italiane dhe ajo hungareze, të cilat së bashku përbëjnë më pak se 0.5% të popullsisë, kanë secila nga një deputet të garantuar në Parlament dhe të drejtë vetoje mbi ligjet që prekin të drejtat e tyre (neni 64 i Kushtetutës); në Kroaci, pakica serbe me rreth 4.4% të popullsisë gëzon tre mandate të garantuara, ndërsa të gjitha pakicat e tjera së bashku kanë edhe pesë mandate shtesë.
“Në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, edhe komunitetet më të vogla gëzojnë mbrojtje të fortë institucionale dhe përfaqësim të sigurt,” theksojnë ata.
Ata nënvizojnë se shqiptarët në Mal të Zi përbëjnë rreth pesë për qind të popullsisë – dhjetë herë më shumë sesa pakicat italiane dhe hungareze së bashku në Slloveni – “e megjithatë nuk kanë vende të garantuara në Parlament”.
“Përfaqësimi i tyre varet nga rezultatet e kalkulimeve elektorale, gjë që nuk pasqyron peshën e tyre demografike dhe historike, as standardet evropiane që Mali i Zi synon t’i përmbushë,” theksohet në letrën e Forumit Shqiptar.
Forumi Shqiptar propozon një zgjidhje përmes ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor: të paktën katër mandate të garantuara për pakicën shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, përmes modelit të mandateve korrigjuese; si dhe të drejtën e vetos nga shumica e deputetëve shqiptarë mbi ligjet dhe aktet që rregullojnë drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e pakicave.
Forumi Shqiptar shton se „kjo nuk është çështje privilegjesh, por e standardeve evropiane. Përfaqësimi i garantuar dhe mekanizmat mbrojtës janë thelbësorë për forcimin e besimit të komuniteteve pakicë në institucione, ruajtjen e karakterit multietnik të Malit të Zi dhe konfirmimin e gatishmërisë së shtetit tonë për të zbatuar në praktikë vlerat dhe rekomandimet evropiane.”
Ata theksojnë se shqiptarët në Mal të Zi meritojnë siguri politike që është “e barabartë ose edhe më e fortë se ajo që gëzojnë italianët dhe hungarezët në Slloveni, përkatësisht serbët dhe pakicat e tjera në Kroaci”.
“Jemi të bindur se ambasadorët do ta kuptojnë rëndësinë e kësaj çështjeje dhe do ta mbështesin nismën që përmes ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor t’u sigurohet shqiptarëve përfaqësim i garantuar me katër mandate parlamentare dhe mekanizmat përkatës mbrojtës,” shtojnë ata në letër.
„Vetëm një Mal i Zi ku të gjitha kombet dhe komunitetet janë të përfaqësuara në mënyrë të sigurt dhe të barabartë mund të jetë një anëtar i qëndrueshëm i Bashkimit Evropian,” përfundon letra e dërguar ambasadorëve të 27 vendeve të BE-së.
Gjithashtu, Forumi Shqiptar u bën thirrje anëtarëve të Komisionit parlamentar për reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore që ta marrin parasysh këtë kërkesë, “me qëllim sigurimin e një përfaqësimi të drejtë dhe adekuat politik të popullit shqiptar në Mal të Zi.”










