KE PËR SHQIPËRINË: PËRPARIM I SHPEJTË DREJT ANËTARËSIMIT

Bashkimi Evropian vlerëson se procesi i zgjerimit po ecën me ritmin më të shpejtë të 15 viteve të fundit, ndërsa Shqipëria renditet ndër vendet që kanë shënuar përparim të jashtëzakonshëm në reformat integruese.

Sipas draftit të Raportit të Progresit për Shqipërinë, i siguruar nga Radio Evropa e Lirë, që prej fillimit të vitit 2024 janë zhvilluar 11 konferenca ndërqeveritare mes BE-së dhe vendeve kandidate, prej të cilave pesë vetëm me Shqipërinë, një tregues i qartë i ritmit të lartë të integrimit.

Në raport theksohet se Shqipëria ka hapur negociatat në pesë grupe kapitujsh, duke reflektuar “përkushtimin e madh të vendit dhe progresin e shpejtë në zbatimin e reformave”.

“Kjo e reflekton përkushtimin e madh të Shqipërisë. Shqipëria ka vazhduar të shënojë përparim në reforma, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe me përfundimin e procesit të vettigut”, thuhet në draft-raport.

Raporti vlerëson gjithashtu rezultatet e dukshme të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në hetimin e çështjeve të korrupsionit, si dhe bashkëpunimin aktiv ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e kapaciteteve për hetime financiare.

Sipas dokumentit, Shqipëria ka shprehur ambicien për të mbyllur të gjitha negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027, ndërsa Komisioni Evropian konfirmon përkushtimin për të mbështetur vendet që përmbushin kriteret, në përputhje me parimin e meritës.

Në raport përmendet gjithashtu se Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinën, janë lavdëruar për përputhjen e politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian, duke dëshmuar angazhim të plotë për integrimin në familjen evropiane.

SHARE