Sot në sallën e Kuvendit të komunës së Tuzit është mbajtur seanca e XIV-të me rradhë.
Seancën e hapi kryetari i Kuvendit, Fadil Kajoshaj.
Fillimisht këshilltarët e pranishën u pyetën për procesverbalin e seancës së kaluar, i cili u miratua me 18 vota pro.
Për këtë seancë ishin të parapara 7 pika të rendit të ditës, si dhe ndërkohë u shtua pika e 8 që kishte të bënte me Propozim-Vendimi mbi dhënien e pëlqimit për ndryshimin e parë në programin vjetor për kryerjen e veprimtarisë komunale të SHPK “Komunale” për vitin 2025.
Pika e parë e rendit të ditës ishte Propozimi i Vendimit mbi ndryshimet dhe plotësimet Buxhetit të Komunës së Tuzit për vitin 2025, e cila u prezantuanga sekretari i Sekretariatit për Financa, Driton Gjokaj.
Ai foli për rritjen e të ardhurave, rritjen e mjeteve të mbartura nga viti i kaluar dhe rritjen e pjesës kapitale për buxhetin e vitit 2025. Gjokaj theksoi se sipas planit, buxheti ishte 9.320.548€ ndërsa me ribalancim është 9.536.862€.
Komuna e Tuzit ka planifikuar një buxhet total për shpenzime kapitale në vlerë prej 760,000 euro për vitin 2025.
Në këtë shumë, pjesa më e madhe, 590,000 euro, është dedikuar për rindërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve lokale në territorin e komunës, duke u fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe kushteve të qarkullimit për banorët. Përveç kësaj, janë ndarë 10,000 euro për shërbimin mbikëqyrës të ekspertëve, që do të sigurojë cilësinë dhe transparencën e punimeve, si dhe 10,000 euro për planifikimin dhe përgatitjen e dokumentacioneve teknike, të domosdoshme për realizimin e projekteve kapitale.
Pika e dytë e rendit të ditës ishte Propozimi i Konkludimit mbi pranimin e Raportit gjysmëvjetor mbi të ardhurat e përgjithshme dhe shpenzimet e bëra totale, të shprehura në përputhje me klasifikimin organizativ, funksional dhe ekonomik për periudhën 01.01- 30.06.2025;.
Në lidhje me këto pika, këshilltarët Mevlludin Dizdareviq, Demir Dresheviq dhe Halil Dukoviq ngritën shqetësime serioze lidhur me planet për zgjerimin e kadave 5 dhe 6 të deponisë ekzistuese.
Ata shprehën dyshime se ky projekt mund të jetë një manovër politike dhe kërkuan më shumë transparencë nga organet komunale.
Këshilltari Demir Dresheviq gjithashtu trajtoi çështjen e investimeve kapitale, duke përmendur projektet për ndërtimin e qendrave sportive në Sukruq dhe Dinoshë. Ai kritikoi nivelin e ulët të realizimit të buxhetit për këto projekte, duke theksuar se vetëm 7% e kapitalit të paraparë është shfrytëzuar deri më tani. Ai kërkoi përgjegjësi konkrete dhe iu drejtua sekretarit Gjokaj për sqarime. Ky i fundit u shpreh se nuk është i obliguar të japë sqarime, duke theksuar se nuk është përgjegjës direkt për këto projekte.
Ndërkohë, Halil Dukoviq theksoi rëndësinë e projektit për ndërtimin e një kampi sportiv në të ardhmen dhe kërkoi nga komuna të dhëna më të detajuara për planin e zgjerimit të deponisë, një çështje që mbetet ende e pazgjidhur.
Kryetari Gjelaj u ndal në çështjen e planifikuar për ndërtimin e kampit sportiv në zonën e Rrogathit, duke theksuar se blerja e tokës nga pronari aktual, z. Nikaj, do të bëhet vetëm pas arritjes së një marrëveshjeje të qartë dhe të pranueshme për të dyja palët.
Ndërkohë, kryetari Gjelaj prezantoi dokumente dhe fakte që sipas tij dëshmojnë se Komuna e Tuzit ka realizuar çdo projekt në kohë reale, duke vepruar me transparencë të plotë ndaj qytetarëve.
Ai theksoi gjithashtu se buxheti për vitin 2025 ka shënuar një rritje të konsiderueshme, duke arritur në shumën 9.536.862 euro, çka sipas tij është dëshmi e zhvillimit të qëndrueshëm të komunës.
Në lidhje me çështjen e deponisë në Omerbozhaj, Gjelaj sqaroi se problemi daton që nga viti 2001, ndërsa ndërtimi i saj ka filluar në vitin 2004.
Ai kujtoi se në këtë deponi, aktualisht, mbeturinat sillen nga dhjetë komuna të ndryshme të Malit të Zi, çka e bën menaxhimin edhe më kompleks. Megjithatë, ai siguroi se Komuna e Tuzit është duke punuar për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, por theksoi se një marrëveshje për një temë kaq të ndjeshme nuk mund të arrihet menjëherë dhe kërkon kohë dhe koordinim institucional.
Në fund të fjalës së tij, Gjelaj vlerësoi se Komuna e Tuzit po tregon më shumë vëmendje se kurrë më parë ndaj qytetarëve, duke shfaqur gatishmëri për të përkrahur bujqësinë dhe blegtorinë në mënyrë konstruktive.
Ai u shpreh i bindur se komuna është në rrugën e duhur drejt realizimit të të gjitha projekteve strategjike për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Këshilltari Pashko Gjokaj vlerësoi pozitivisht ribalancimin buxhetor të paraqitur nga sekretari Gjokaj, duke e cilësuar si të pritshëm dhe të mbështetur në shtylla të forta financiare.
“Ky ribalancim është dëshmi e një pune të qëndrueshme, dhe dita-ditës po shohim përmirësim gjithnjë e më të madh,” u shpreh Gjokaj.
Ai foli më tej për investimet infrastrukturore në fshatin Muzheçk, ku sipas tij janë ndërtuar disa kilometra rrugë me një kosto mbi 100 mijë euro. Gjokaj theksoi rëndësinë e këtij investimi për komunitetin lokal dhe shprehu mirënjohje për punimet e realizuara.
Në vijim, ai informoi se janë duke u zhvilluar hetime dhe analizime teknike për humbjen e ujit në këtë zonë, dhe për këtë qëllim është angazhuar një ekspert i fushës. Sipas ekspertit, në këtë zonë ekziston një pus me ujë të pastër dhe cilësor, i cili mund të shfrytëzohet për nevojat e komunitetit.
Gjokaj përfundoi fjalën e tij duke falënderuar të gjitha institucionet dhe punonjësit e angazhuar për përkushtimin e treguar në këtë projekt të rëndësishëm për banorët e zonës.
Këshilltari Nikollë Camaj theksoi qartë se deponia ndodhet në territorin e Komunës së Tuzit dhe shprehu bindjen se çdo vendim i ardhshëm lidhur me të do të jetë në favor të komunës dhe interesave të qytetarëve të saj.
Pas diskutimeve të gjera dhe debatit konstruktiv në Kuvendin Komunal të Tuzit, pika e parë dhe e dytë e rendit të ditës u miratuan me 18 vota pro, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.
Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Tuzit, u miratua edhe vendimi për verifikimin e pëlqimit mbi vendimin e Bordit të drejtorëve të SHPK Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Tuz, me numër 1446/25, datë 14.08.2025.
Me këtë rast, Ilir Camaj theksoi rëndësinë e lartë që ka funksionimi sanitar i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit për shëndetin publik dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Ai vlerësoi nevojën për mirëmbajtje të rregullt dhe investime të vazhdueshme, duke përmendur një buxhet prej 10.000 euro që është ndarë për këto qëllime.
Camaj nënvizoi se çdo investim në këtë sektor është një hap drejt garantimit të kushteve më të mira të jetesës dhe mbrojtjes së mjedisit në komunën e Tuzit.
Gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal të Tuzit, u paraqit edhe Propozim-Vendimi mbi përcaktimin e çmimeve të veprimtarisë së rregulluar komunale, që ofrohen nga SHPK “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Tuz për vitin 2026.
Ky vendim ka për qëllim përcaktimin e qartë dhe të bazuar të tarifave për shërbimet publike në sektorin e ujësjellësit dhe kanalizimit, në përputhje me nevojat reale të mirëmbajtjes dhe zhvillimit të rrjetit komunal, si dhe për të garantuar cilësi dhe qëndrueshmëri në ofrimin e këtyre shërbimeve për qytetarët e komunës. Të dy pikat në fjalë u miratuan me 18 vota për.
Në vijim të seancës, u paraqit Propozimi i Vendimit mbi dhënien e pëlqimit në Vendimin për plotësimin e Listës së çmimeve për shërbimet e mirëmbajtjes së tregjeve, të cilat ofrohen nga SHPK “Tregu” Tuz.
Kjo pikë u prezantua nga drejtori i ndërmarrjes, Ruzhdi Lluka, i cili bëri paraqitjen formale të propozimit. Megjithëse nuk pati diskutime nga këshilltarët, pika u miratua me 18 vota pro dhe 1 abstenim, duke reflektuar mbështetje të gjerë për përcaktimin e çmimeve të reja dhe standardizimin e shërbimeve të tregjeve komunale.
Pika e gjashtë, shqyrtua dhe u miratua me 19 vota pro: Propozimi i Vendimit mbi plotësimin e vendimit për kriteret për dhënien e bursave për studentët në Komunën e Tuzit.
Pika u prezantua nga Marina Ujkaj, sekretare e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale. Ajo sqaroi se nuk ka pasur ndryshime në kriteret ekzistuese, përveç një shtese në Nenin 3, sipas së cilës: “Çdo person që është në marrëdhënie pune nuk do të ketë të drejtë përfitimi të bursës.” Ky ndryshim synon të përqendrojë mbështetjen financiare tek studentët që kanë më shumë nevojë ekonomike, si dhe të sigurojë shpërndarje më të drejtë të fondeve bursale.
Pika e shtatë, ishte Propozimi i Aktvendimit mbi emërimin e Jurisë për ndarjen e Çmimit “15 Dhjetori” për vitin 2025. Mark Lucgjonaj u propozua për kryetar të Komisionit për ndarjen e këtij çmimi të rëndësishëm, duke u votuar me shumicë prej 18 votash pro dhe 1 abstenim. Ky çmim është një nderim tradicional i komunës për kontributet e veçanta në fushat e ndryshme të jetës publike dhe kulturore.
Në fund të seancës së Kuvendit Komunal të Tuzit, u shqyrtua dhe u miratua Propozim-Vendimi mbi dhënien e pëlqimit për ndryshimin e parë në programin vjetor për kryerjen e veprimtarisë komunale të SHPK “Komunale” për vitin 2025. Ky ndryshim synon të përshtasë dhe përmirësojë planifikimin dhe realizimin e veprimtarive komunale gjatë vitit, duke reflektuar nevojat aktuale të komunitetit dhe situatën në terren.