KKSH: SHQIPTARËT NË ZGJEDHJE TË JENË NË NJË LISTË TË VETME

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, i bën apel subjekteve politike shqiptare, gjegjësisht drejtuesve të subjekteve, që pa humbur kohë të bëjnë përpjekjet e nevojshme për arritjen e një marrëveshjeje për pjesëmarrje në zgjedhje, me një listë të unifikuar shqiptare.

Siç bëjnë me dije KKSH përmes një komunikate ky është vullnet i pjesës më të madhe të elektoratit shqiptar në Mal të Zi, të cilët votojnë tradicionalisht për subjektet nacionale, po ashtu besojnë se do të ketë përkrahje edhe nga diaspora.

“Unifikimi i subjekteve kombëtare është e udhës të bëhet rreth një platforme politike të përgatitur mirë, e cila do të përfshijë të gjitha çështjet me të cilat ballafaqohen sot shqiptarët në Malin e Zi, sipas prioriteteve: që nga ruajtja e identitetit kombëtar, parandalimi i asimilimit, përfaqësimi proporcional e dinjitoz në institucione, decentralizimi i pushtetit vendor, arsimi në gjuhën shqipe, respektimi i të drejtave kombëtare e deri te investimet dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i qendrave ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi etj. E njëjta platformë do të jetë edhe parakusht për pjesëmarrje ose jo të shqiptarëve në qeverisjen e ardhshme në Mal të Zi. Këto mund të jenë disa nga parimet mbi të cilat do duhej të ndërtohet marrëveshja dhe besimi i votuesve shqiptarë në Malin e Zi, për listën e përbashkët kombëtare për zgjedhjet e ardhshme parlamentare,” theksuan nga Këshilli Kombëtar i Shqipëtarve.

Siç shtojnë ata, ka argumente të mjaftueshme se unifikimi i subjekteve nacionale shqiptare në garat elektorale, në ato shtete ku shqiptarët janë pakicë, ka rezultuar i suksesshëm, si rasti i garës elektorale për Komunën e Tuzit në zgjedhjet e fundit lokale dhe po ashtu bashkimin e subjekteve politike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës për zgjedhjet e fundit në Serbi, që ka rezultuar me rritje të numrit të deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Serbisë.

Për këto arsye dhe shumë të tjera që nuk mund të përmblidhen në një kumtesë, Këshilli Kombëtar para disa ditëve, përmes një shkrese zyrtare i’u është drejtuar të gjithë kryetarëve të subjekteve nacionale shqiptare në Mal të Zi, që të bëjnë gjithçka dhe të bien dakord për një listë të përbashkët shqiptare.

SHARE