Foto: KKSH
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi në bazë të kërkesave të drejtuara Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, ka realizuar shpërndarjen e mjeteve mësimore për shkollat fillore me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Ky aktivitet u mbajt në ambientet e Ministrisë në Podgoricë, në praninë e Ministres së Arsimit Angjella Jakshiq – Stojanoviq, sekretarit shtetëror Fikret Lulanaj, drejtorit të Drejtorisë për Arsim të Pakicave Kombëtare Dragan Mijushkoviq, përfaqësuesit të Entit për Mjete dhe Tekste Shkollore Dimitrov Popoviq, si dhe drejtorëve të shkollave në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.
Ky hap përforcon përkushtimin institucional ndaj avancimit të arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, çka mbetet një ndër prioritetet kryesore të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.
Në bazë të tabelës së bashkëngjitur në kërkesat zyrtare, janë shpërndarë: harta fizike e Malit të Zi, alfabeti dore dhe shtypi, tabela e shumëzimit dhe pjesëtimit, kalendari i natyrës, orari mësimor, numrat lëvizës, numratorja dhe shkronjat lëvizëse.
Shkollat përfituese janë: Shkolla “Marshall Tito”, Shkolla “Boshko Strugar“, Shkolla „Marko Nuculloviq“, Shkolla „Bedri Elezaga“, Shkolla „Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Krajë“, Shkolla „Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Triesh“, Shkolla „Mahmut Lekiq“ – Tuz, Shkolla „Bashkimi“ – Skorraq, Shkolla „29 Nëntori“ – Dinoshë, Shkolla „Hajro Shahmanoviq“, Shkolla „Xhafer Nikoçeviq“ dhe Shkolla „Dacaj“.
Ky furnizim i ri synon të përmirësojë cilësinë e procesit mësimor dhe të sigurojë kushte më të mira për nxënësit shqiptarë në Mal të Zi.










