Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi ka nënshkruar Marrëveshjen e Anëtarësimit në Programin LIFE të Bashkimit Evropian për Mjedisin dhe veprimet Klimatike në Bruksel.
Marrëveshjen e nënshkruan ministri i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Damjan Qullafiq dhe Komisionerja për Mjedisin, Qëndrueshmërinë e Ujërave dhe Ekonominë Cirkulare, Jessica Rosswal.
Për vitin 2025, Bashkimi Evropian ka ndarë gjithsej 600 milionë euro për financimin e projekteve në fushën e mbrojtjes së mjedisit, veprimeve klimatike dhe kalimit në energji të pastër përmes Programit LIFE.
Ky program është më i vjetri dhe një prej mjeteve më efektivë financiar të BE-së për mbrojtjen e mjedisit.
Ministri tha se, duke u bashkuar me Programin LIFE, Mali i Zi përsëri konfirmon angazhimin e tij për mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e sfidave të ndryshimeve klimatike.
“Ky bashkëpunim me Bashkimin Evropian është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e kapaciteteve tona për ruajtjen e burimeve natyrore – në dobi të qytetarëve tanë dhe brezave të ardhshëm,” theksoi ministri.