Foto: Erkin Keçi
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka shpjeguar se përse edhe pasi parashtroi dorëheqjen e tij procedurale me qëllim të emërimit si deputet i legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, vazhdon ta ushtrojë detyrën e kryeministrit.
Kurti në fjalën e tij para mbledhjes së Qeverisë në detyrë të Kosovës, tha se gjatë ditës së djeshme partitë opozitare shqiptare bashkë me Listën Serbe nuk votuan për verifikimin e mandateve të tyre si deputetë, ku në thelb “ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatin e deputetit po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër”.
Ai tha se Qeveria që ai udhëheqë është në detyrë dhe efektivisht e dorëhequr nga 23 marsi kur e ka përmbyllur mandatin e rregullt dhe të plotë 4-vjeçar, por që, kjo e vendos Qeverinë në një rol kujdestar për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës.
Kryeministri në detyrë Kurti tha se deri në formimin e Qeverisë së re, në emër të kabinetit qeveritar, dje i është drejtuar Kuvendit me një letër me të cilën e ka njoftuar për statusin e qeverisë nga 23 marsi 2025 dhe për dorëheqjen e tij nga posti ekzekutiv.
“Më shumë se kaq, nuk është e mundur të jepet dorëheqje. Më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezikim i sigurisë kombëtare. Është kërkesë dhe insistim, e thënë së buti i pamatur për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie”, theksoi Kurti.
Ai tha se ligji e qartëson se një qeveri vazhdon të ushtrojë detyrën deri në zgjedhjen e një qeverie të re, derisa bëri të ditur se mbledhja e sotme e Qeverisë është e lejueshme madje e detyrueshme.
“Në historikun tonë të formimit të institucioneve, kemi shembuj nga e kaluara kur një qeveri e udhëhequr nga PDK – ndonëse me kuvend të shpërndarë, një qeveri e udhëhequr nga AAK – ndonëse e dorëhequr dhe një qeveri e udhëhequr nga LDK – ndonëse e shpallur si e jashtëligjshme, kanë qëndruar në detyrë deri në formimin e qeverisë së re. Por, një qeveri e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje – ndonëse ka përmbushur mandatin e saj të rregullt katërvjeçar, na u dashka të largohet nga zyrat e saj një orë e më parë?”, tha Kurti.
Ai tutje përmendi edhe shembullin e ish-kryeministrit Thaçi, që ndonëse kishte dhënë betimin e deputetit në korrik të vitit 2014, kishte vazhduar të jetë kryeministër në detyrë deri në dhjetor të atij viti kur u pat votuar qeveria e re. Si dhe shembujt e ish-kryeministrave Haradinaj dhe Hoti, të cilët ushtruan detyrën e kryeministrave deri në zgjedhjen e qeverive të reja.
Dje u ndërpre seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ku duhej të betoheshin deputetët, zgjedhej kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, për shkak se deputetët opozitarë votuan kundër një raporti që çonte deri tek këto procese. Sipas krerëve të partive opozitare, kundërshtimi i tyre ishte për shkak se dorëheqja e Kurtit nuk u dorëzua me kohë. Kuvendi iu drejtua presidentes Vjosa Osmani me një letër ku kërkohet sqarim për hapat e ardhshëm, derisa mbledhja konstituive e Kuvendit duhet të vazhdohet më së largu deri të enjten.