Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, edhe një herë apeloi deri te deputetët e Kuvendit të Malit të Zi që të shtyjnë diskutimin për Marrëveshjen e nënshkruar nga Qeveria e Malit të Zi me Emiratet e Bashkuara Arabe, derisa të arrijnë qëndrimet e Komisionit Evropian dhe agjencive kompetente në Mal të Zi.
Presidenti ka diskutuar sot për këtë temë me përfaqësues të sektorit joqeveritar dhe shoqata të ndryshme.
“Sapo kemi përfunduar një takim me përfaqësues të OJQ-ve të shumta dhe shoqatave të ndryshme, të cilët më kanë shkruar si president, mbi temën e marrëveshjes së nënshkruar në fushën e turizmit dhe pasurive të paluajtshme me Emiratet e Bashkuara Arabe. Përfaqësues të OJQ-ve dhe shoqatave të ndryshme shprehën qëndrimet e tyre dhe shprehën shqetësim kur është fjala për marrëveshjen”, tha ai.
Millatoviq i falënderoi ata për rolin aktiv që, siç tha, kanë në këtë qëndrim mjaft jotransparent të autoriteteve ndaj marrëveshjes.
“Dëshiroj që sot, pas këtij takimi, t’i dërgoj një apel Kuvendit të Malit të Zi që diskutimi në lidhje me vetë marrëveshjen që ka ardhur në Kuvend, të mos bëhet derisa të marrim qëndrime të qarta nga Komisioni Evropian, por edhe nga agjencitë kompetente në Mal të Zi, si Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe vetë Agjencia për Mbrojtjen e Konkurrencës në lidhje me marrëveshjen. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të respektohen parakushtet ligjore dhe të merren qëndrime të qarta përpara se të fillojë diskutimi në Parlamentin e Malit të Zi. Mendoj se kjo është një mënyrë e drejtë dhe demokratike dhe këndvështrimi që ua kam përcjellë sot përfaqësuesve të sektorit joqeveritar”, tha Millatoviq.
Përfaqësuesja e OJQ-së Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve Jovana Janjusheviq tha se Marrëveshja e lartpërmendur degradon plotësisht legjislacionin tonë dhe mbështet institucionin e konkurrencës publike.
“Përveç faktit që po flasim për një zonë që ka rëndësi ndërkombëtare dhe nuk është vetëm trashëgimi e Malit të Zi dhe brezave tanë të ardhshëm, të lejosh një investitori të marrë me qira Plazhin e Madh ose ndonjë territor tjetër brenda Malit të Zi, qoftë në jug apo në veri, do të mundësojë që dikush të bëhet jo vetëm qiramarrës i vendit për 90 vjet, por do të transferohet e drejta e pronësisë,” tha ajo.
Zenepa Lika nga Shoqata Dr. “Martin Schneider Jacobi” nga Ulqini, tha se Ulqini ka nevojë për hapësirë publike dhe se kjo nuk guxon t’u mohohet qytetarëve të Ulqinit.
“Plazhi i Madh është i të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, kjo hapësirë nuk duhet t’i jepet një personi për të ndërtuar idetë e tij. Ne në Ulqin ndihemi të kërcënuar prej 30 ditësh. U bëj thirrje të gjithë deputetëve të ndalojnë. Duhet të dialogojmë dhe të flasim. Bëhet fjalë për të ardhmen e Ulqinit dhe të gjithë Malit të Zi. Ju bëj thirrje që të enjten të mos ngrini dorën për të tradhtuar Malin e Zi”, tha Lika.
Aktivistja e mjedisit, Elida Adroviq tha se kjo nuk është vetëm çështje e Ulqinit por e gjithë Malit të Zi.
Ajo u bëri thirrje deputetëve që kur marrin vendime të mendojnë për qytetarët, jo për pozitat dhe pagat e tyre.
“Nuk dua që e ardhmja e Malit të Zi të jetë në duart e atyre që nuk mendojnë mirë për ne”, ka theksuar Adroviq.