KRYEMINISTRI I SHKROI KOMISIONIT TË VENECIAS: ME MARRËVESHJE DREJT ZGJIDHJES SË ÇËSHTJEVE TË HAPURA

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, i ka dërguar kërkesë Komisionit Evropian për Demokraci përmes Ligjit – Komisionit të Venecias për mendim urgjent me rekomandime lidhur me përfundimin e detyrës së gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, Dragana Gjuranoviq, njoftoi Qeveria.

“Në përputhje me Marrëveshjen ndërmjet përfaqësuesve të shumicës qeverisëse (Kryetari i LET z. Millojko Spajiq) dhe përfaqësuesve të opozitës në Parlamentin e Malit të Zi (Danijell Zhivkoviq – PDS, Damir Shehoviq – SD dhe Adrijan Vuksanoviq – IQK), e nënshkruar më 15. 03. 2025, të cilën e dërgojmë në bashkëngjitje, i paraqes një kërkesë Komisionit Evropian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias) për t’iu përgjigjur, në përputhje me kompetencat e tij, pyetjeve të përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës”, thuhet në letër.

Duke pasur parasysh se përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës kanë disa shqetësime lidhur me këtë çështje kushtetuese dhe ligjore, në letër renditen problematikat dhe argumentet kryesore si të qeverisë ashtu edhe të opozitës.

Komisioni i Venecias do të pajiset më pas, siç deklaron Qeveria, me dokumentacion shtesë që mund të ndihmojë në krijimin e një pasqyre të plotë të çështjeve të interpretimit të normave të sipërpërmendura si në kuptimin material ashtu edhe në atë formal.

Krahas përgjigjes së pyetjeve, palët nënshkruese të Marrëveshjes kërkojnë nga Komisioni i Venecias që të bëjë rekomandime me qëllim të zgjidhjes së çdo dileme që mund të ekzistojë në sistemin kushtetues dhe juridik të Malit të Zi lidhur me këtë çështje.

SHARE