Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi dhe Kroacia do t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura me ton miqësor dhe konstruktiv dhe do të përdorin potencialin për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, u njoftua në takimin e kryeministrit të Malit të Zi Millojko Spajiq dhe presidentit kroat Zoran Millanoviq në Podgoricë.
“Kjo është një vizitë shumë e rëndësishme për Malin e Zi dhe është treguesi më i mirë i gatishmërisë së vendeve tona për të përmirësuar marrëdhëniet e ndërsjella dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura në një ton miqësor”, tha kryeministri Spajiq.
Kryeministri i Malit të Zi e njoftoi presidentin Millanoviq për progresin dhe arritjet e Malit të Zi në fushën ekonomike, si dhe për aktivitetet intensive të vendit në integrimet euro-evropiane.
“Kroacia, si fqinji ynë i ngushtë dhe anëtar i Bashkimit Evropian, është një partner i rëndësishëm për ne në rrugën e vendit drejt integrimit evropian. Unë jam mirënjohës për fjalët e mbështetjes dhe kam besim se mbyllja e kapitujve të negociatave të Malit të Zi me BE-në do të shkojë sipas planit”, theksoi Spajiq.
Bashkëbiseduesit shprehen të bindur se intensifikimi i negociatave mes dy vendeve për çështje të hapura do të rezultojë me sukses në interes të përbashkët.
Presidenti Millanoviq pajtohet që të dyja vendet, si dhe i gjithë rajoni, duhet të zhvillojnë marrëdhënie të ngushta.
“Shpresoj se do të heqim frenat në marrëdhëniet tona të ndërsjella dhe së shpejti nuk do të ketë ndalim për hyrjen në vendin tonë”, tha presidenti kroat.
Spajiq dhe Millanoviq theksuan se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është cilësor dhe i larmishëm, por se ka vend për përmirësim dhe intensifikimin e tij.