Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, është takuar në Podgoricë me nënkryetarin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Matteo Patrone.
Siç thuhet në komunikatën e Kryeministrisë, realizimi i projekteve të mëdha ishte tema qendrore e bisedës dhe BERZH tha se janë të gatshëm të marrin pjesë në masë të madhe në synimin e Qeverisë për të investuar në lidhje më të mirë të transportit, sektorët e energjisë dhe turizmit, si dhe për të ofruar mbështetje për përmirësimin e sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Patrone theksoi se rezultatet e proceseve reformuese në rrugën drejt BE-së janë të dukshme dhe se ato janë një thirrje për BERZH-in që të investojë edhe më shumë në Mal të Zi.
Kryeministri Spajiq theksoi se seksioni i dytë i autostradës do të mundësojë zhvillim më të balancuar dhe do t’i japë jetë të re verilindjes së vendit, gjë që shihet edhe nga BERZH.
“Ne e kemi të qartë se sa e rëndësishme strategjike është hapja e verilindjes ndaj pjesës tjetër të vendit dhe kjo është arsyeja pse ne ju mbështesim në këto projekte dhe ju mund të mbështeteni tek ne që të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të gjitha projektet e tjera të transportit”, theksoi Patrone.
„Krahas lidhjeve më të mira të transportit, ekonomia do të nxitet edhe nga rindërtimi i hekurudhës, valorizimi i portit të Tivarit dhe zgjerimi i kapaciteteve të aeroporteve tona”, tha Spajiq.
Ai gjithashtu i prezantoi Patrones mundësitë për bashkëpunim në fushën e energjetikës, turizmit dhe bujqësisë, që është një mundësi e madhe zhvillimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht në veri.
Në këtë kontekst, u konkludua se ofrimi i asistencës për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është tashmë në fokus të BERZH-it.