IVANAJ: DO TË MBROJMË SHËNDETIN E QYTETARËVE NËSE IMPIANTI I DJEGIES SË LLUMIT ZHVENDOSET NË TUZ

Foto: Ivan Ivanaj/Facebook/

Nënkryetari i Komunës së Tuzit, Ivan Ivanaj, reagoi ndaj deklaratës së  kryetarit të Komunës së Podgoricës, Sasha Mujoviq, duke thënë se do ta mbrojë shëndetin e qytetarëve të Tuzit, nëse vendoset që një pjesë e kolektorit të planifikuar – impianti për djegien e llumit, nga Botuni i Zetës të zhvendoset në atë komunë. 

“Nga deklarata e publikuar sot në media, e kemi kuptuar se Kryeqyteti i Podgoricës synon që një pjesë të kolektorit të trajtimit të ujërave të zeza nga lokacioni i planifikuar (Botun) të zhvendoset në një lokacion tjetër, gjegjësisht në territorin e komunës së Tuzit. Shkak për zhvendosjen e impiantit të djegies së llumit nga Botuni është protestë e qytetarëve të cilët pretendojnë se procesi do të ndikonte në shëndetin e tyre dhe ne i mbështesim në këtë! Por, është hipokrite, jo humane dhe keqdashëse që kryetari Mujoviq nga njëra anë shpreh shqetësimin për qytetarët e Botunit, e në anën tjetër planifikon të helmojë qytetarët e komunës së Tuzit, më saktë fshatrat afër deponisë, Dinoshë dhe Omerbozhaj. Banorët e këtyre fshatrave vuajnë prej vitesh nga era e padurueshme që përhapet nga deponija dhe tymi i gomave të djegura, por duket se për udhëheqësinë e Kryeqytetit të Podgoricës këta qytetare janë të dorës së dytë dhe mendojnë se mund të bëjnë gjithçka me ta, ndaj planifikojnë t’i trajtojnë me këtë ‘përmbajtje’. I bëjmë thirrje kryetarit të Kryeqytetit që të ndihet i lirë t’i drejtohet gjetjes së zgjidhjeve të tjera për një lokacion që do të përdoret për djegien e llumit, sepse edhe në fshatrat e Tuzit ka njerëz të mishit e të gjakut që mund të ndikohen negativisht nga procesi i djegies së këtyre materialeve. “Ne mendojmë se nuk do të ketë nevojë për këtë, por nëse do të ketë, do të dimë të mbrojmë  shëndetin e qytetarëve tanë”, ka deklaruar Ivanaj.

SHARE