Foto: RTNK
Në një takim të ministrave të jashtëm të Malit të Zi dhe Kroacisë, u njoftua se konsultimet dypalëshe për zgjidhjen e çështjeve të mbetura do të mbahen më 27 janar.
Shumica parlamentare thotë se sjellja e ministrit të Jashtëm kroat komprometon seriozisht konceptin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Deputeti i DNP-së Vlladisllav Bojoviq tha për Radion e Malit të Zi se Mali i Zi nuk duhet të lejojë që të shantazhohet dhe poshtërohet.
“Mali i Zi me siguri nuk duhet dhe nuk do ta lejojë këtë. Ajo duhet të kujdeset për pronën e vet shtetërore, interesat shtetërore, dinjitetin shtetëror dhe absolutisht të luftojë për çdo pëllëmbë të tokës dhe çdo pjesë të pronës së vet, si dhe të drejtën për të marrë vendime për veten e saj,” tha ai.
Bojoviq e konsideron se Kroacia nuk ka ndikim dhe autoritet të mjaftueshëm në Bashkimin Evropian që të mund të ndalojë rrugën evropiane të vendit tonë.
“Kjo lloj politike shantazhi duhet, siç pres unë, të dënohet me termat më të ashpër dhe duhet të bëhet e papranueshme si për Malin e Zi ashtu edhe për Bashkimin Evropian,” tha ai.
Adrijan Vuksanoviq, pranë Iniciativës Qytetare Kroate, mirëpret faktin që përfaqësuesit e dy vendeve do të ulen në tryezën e bisedimeve.
Ai pret që ky të jetë viti i rivitalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Podgoricës dhe Zagrebit.
„Dhe se do ta lëmë mënjanë vitin e kaluar, i cili fatkeqësisht u shënua nga përkeqësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe se do të bashkëpunojmë para së gjithash, për të mirën e Malit të Zi”, tha ai.
Vuksanoviq shpreson se çështjet e hapura nuk do të bëhen probleme shtetërore.
“Dhe diçka e tillë kërkon përgjegjësi dhe seriozitet politik”, theksoi Vuksanoviq.