Foto: Arbëria TV
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, posta e zyre tatimore në dhjetë komuna të ndryshme.
Aksionet policore u ndërmorën në komunat e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.
“Me aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës“, thuhet në postimin e Sveçlës.
Në videon e publikuar nga Sveçla shihet edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, i cili tha se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.
Radio Evropa e Lirë raportoi më parë se Policia e Kosovës ka hyrë në Postën e Serbisë në Graçanicë dhe në Komunën paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon gjithashtu në Graçanicë.
Para ndërtesës së Postës së Serbisë është vendosur një shirit i verdhë dhe gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë se aktualisht zyrtarë të Policisë ndodhen brenda këtyre dy institucioneve, ndërsa punonjësit e të dyja institucioneve janë duke u larguar nga objektet.
Policia e Kosovës ka thënë se drejtoritë rajonale të Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës dhe Mitrovicës së Jugut janë duke zhvilluar operacione policore, por nuk ka konfirmuar se për çfarë operacionesh bëhet fjalë.
“Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë“, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për REL-in.