Foto: Presidenca e Shqipërisë
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas takimeve të para me partitë e vogla, në kuadër të caktimit të datës së re të zgjedhjeve parlamentare.
Në një postim në rrjetet sociale, Begaj shprehet se: Dekretimi i datës së zgjedhjeve duhet të shënojë fillimin e një procesi intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë, qeveritarë e opozitarë.
„Ky proces thelbësor për demokracinë duhet të shndërrohet në shfaqje të mirëfilltë pjesëmarrjeje dhe angazhimi qytetar. Diskutimi i çiltër, i përgjegjshëm, serioz dhe vizionar, duhet të shoqërojë çdo hap të komunikimit të politikanëve me zgjedhësit.”
Presidenti poashtu bën thirrje për debat të hapur e transparent gjatë ballafaqimit të alternativave politike e jo në keqpërdorim të administrates apo përfshirje të krimit ndër kandidatë.
“Vullneti politik i zgjedhësve duhet të ngjizet bazuar në debatin e hapur, transparent e konstruktiv, në ballafaqimin civil të alternativave, dhe jo në keqpërdorim të pushtetit administrativ dhe atij zgjedhor, apo në oferta elektorale të paligjshme,” thotë Begaj.
Ndërkohë kreu i shtetit e mbyll postimin e tij duke theksuar se shpreson që palët e thirrura në këto konsultime ta mirëpresin ftesën me seriozitet, një thirrje kjo që siduket shkon më shumë për Partinë Demokratike, e cila nuk do të marrë pjesë, pasi sipas tyre data është paracaktuar nga Taulant Balla.