Foto: Presidenca e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend dy ligje të miratuar nga shumica qeverisëse e Albin Kurtit.
Presidenca njoftoi se ka kthyer në Kuvend ligjin për ngritjen dhe funksionimin e këshillit të sigurisë dhe ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.
Ligji për këshillin e sigurisë, sipas arsyetimit të Presidencës, bie ndesh me Kushtetutën, që detyron institucionet e Kosovës të bashkërendojnë vendimet dhe veprimet me Presidencën e vendit në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme.
Në ligjin e miratuar nga Kuvendi dhe kthyer për rishqyrtim nga Osmani parashikohet që institucionet bashkërendojnë dhe bashkëpunojnë me Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe jo me Presidencën.
Osmani thotë gjithashtu se ligji në fjalë ka mangësi të tjera dhe dispozita të paplota, sa i takon funksionimit të këshillit të sigurisë në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme.
Sa i takon ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, Osmani thotë se ai nuk merr parasysh një vendim të Gjykatës Kushtetuese për mbrojtjen e mjedisit dhe nuk parashikon masa alternative që mund të ndërmerren për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike.