Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj dhe bashkëpunëtorët e tij janë takuar sot me delegacionin shqiptar të kryesuar nga ministri i Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, Ulsi Manja, i cili shoqërohej nga ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto.
Ministri Dukaj i njohu bashkëbiseduesit me prioritetet në punën e këtij dikasteri në kuadër të digjitalizimit dhe reformës së administratës publike, si dhe përmirësimin e shërbimeve të ofruara nga administrata publike për qytetarët.
“Përvojat e Shqipërisë në fushën e zhvillimit dhe digjitalizimit të e-Qeverisjes janë shumë të rëndësishme për Malin e Zi në rrugën e zhvillimit të tij digjital”, tha ministri Dukaj.
Dukaj tha se prioritetet kyçe të Ministrisë së Administratës Publike janë: miratimi i Ligjit për Sigurinë e Informacionit, themelimi i Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Qendrës Arsimore Rajonale për Mbrojtje Kibernetike dhe Edukim, tashmë është formuar edhe Ekipi i reagimit ndaj incidenteve kompjuterike i Qeverisë me funksionin e SOC (Security Operation Center) me rol operacional të parandalimit të incidenteve, e cila u hap javën e kaluar nga kryetarja e KE-së Ursula von der Leyen.
Përfaqësuesit e Republikës së Shqipërisë theksuan rëndësinë e marrëdhënieve tradicionalisht të mira dhe miqësore mes dy vendeve dhe perspektivën e përbashkët evropiane dhe përshëndetën aktivitetet për ndërtimin e një administrate publike moderne dhe efikase.
Gjithashtu, u theksua gatishmëria për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash dhe ofrimi i mbështetjes eksperte dhe të llojeve të tjera në procesin e reformës së administratës publike, digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike.
Gjatë takimit u shpreh pritshmëri e ndërsjellë që bashkëpunimi mes Malit të Zi dhe Shqipërisë të vazhdojë edhe në periudhën në vijim, përmes zbatimit të programeve dhe projekteve të përbashkëta në fushën e administratës shtetërore, lokale, elektronike dhe sigurisë kibernetike.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për tema të tjera me interes të përbashkët, duke përmbyllur nevojën e thellimit të bashkëpunimit në shumë fusha.