GJELOSHAJ VIZITË ZYRTARE NË UASHINGTON

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj, i cili po kryeson delegacionin e Malit të Zi në një vizitë zyrtare në Uashington, sot, në emër të Qeverisë dhe Shtetit të Malit të Zi, do të nënshkruajë Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bashkëpunim ekonomik.

Memorandumi do të nënshkruhet në emër të Qeverisë së SHBA nga Jose V. Fernandez, nënsekretar për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin. Në delegacionin e udhëhequr nga Gjeloshaj janë edhe ministri i Energjisë Sasha Mujoviq, ministri i Punëve Detare Filip Radulloviq, ministri i Administratës Publike Marash Dukaj, si dhe ministri i Minierave, Naftës dhe Gazit Admir Shahmanoviq.

Me rastin e vizitës së tij zyrtare në Uashington, Gjeloshaj tha se nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit do të kontribuojë në krijimin e një baze të fortë për bashkëpunimin e ardhshëm ekonomik dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta me interes të përbashkët.

„Memorandumi paraqet edhe themelin e kursit properëndimor dhe euroatlantik të Malit të Zi dhe jam vërtet krenar që m’u dha mundësia që, duke ndjekur vlerat më të mira amerikane dhe demokratike, të vulos drejtimin perëndimor të vendit tonë,“ tha Gjeloshaj.

Ai më tej shtoi se data 21 tetor 2024 do të institucionalizojë përgjithmonë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Malit të Zi në fushën e ekonomisë, investimeve, projekteve, turizmit, teknologjisë, infrastrukturës, si dhe do të konfirmojë partneritetin dhe aleancën e sinqertë mes vendeve tona.

SHARE