GORÇEVIQ: MBËSHTETJA E BE-së PËR AGJENDËN E REFORMAVE TË MALIT TË ZI, 383 MILIONË EURO

Ministria e Çështjeve Evropiane organizoi një mëngjes pune me gazetarë me rastin e prezantimit të Agjendës së Reformës së Malit të Zi për tërheqjen e fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ministrja tha se agjenda e reformave është një instrument serioz për Malin e Zi dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Është një nga dokumentet më serioze që Komisioni Evropian do ta miratojë dhe në këtë mënyrë Mali i Zi do të marrë 383 milionë euro. 110 milionë do të jenë të pakthyeshme, pjesa tjetër do të jenë kredi të favorshme”, ka thënë Gorçeviq.

Paratë, shton ajo, do të paguhen “në masën që ne të përmbushim masat e reformës”.

“Presim miratim deri në fund të shtatorit dhe pagesë deri në fund të vitit”, tha ministrja. Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj tha se Agjenda e Reformës është një nga dokumentet më të rëndësishme për përshpejtimin e hyrjes në Bashkimin Evropian.  

“Ministria e Administratës Publike është duke ndërmarrë hapa konkretë që janë në juridiksionin tonë”, tha Dukaj.

Për herë të parë, siç thekson ai, do të formohet Agjencia për Sigurinë Kibernetike, e cila do të merret me mbrojtjen e të gjithë vendit.

„Ju e dini që sulmet kibernetike po bëhen më të shpeshta, ndaj sa më shumë të investojmë aq më shumë do të mbrohemi”, tha ministri.

SHARE