MINISTRIA PARALAJMËRON – VAKSINIM APO MASA

Ministria e Shëndetësisë apeloi dje prindërit që të vaksinojnë fëmijët e tyre kundër lisë dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në imunitetin kolektiv, sepse në të kundërt do të duhet të marrin masa më shtrënguese.

Instituti i propozoi më parë Ministrisë së drejtuar nga Vojisllav Shimun për të ndryshuar ligjin në mënyrë që të kufizojë qëndrimin e fëmijëve të pavaksinuar në shkolla dhe kopshte ose të vendosë masa të përkohshme në komunat ku është raportuar epidemia e lisë.

“Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe partnerë nga sektori ndërkombëtar dhe joqeveritar, ka krijuar një sërë masash dhe aktivitetesh pozitive drejtuar prindërve, me qëllim rritjen e reagimit ndaj vaksinimit të fëmijëve, i cili për momentin nuk është i kënaqshëm, sidomos për shkak të rrethanave të fillimit të vitit të ri shkollor. Nëse këto masa nuk japin rezultat në një të ardhme të afërt, Ministria do të detyrohet të mendojë për vendosjen e masave që do të reduktonin shtrirjen e të drejtave për grupmosha të caktuara”, thuhet në përgjigje.

Ministria, megjithatë, nuk specifikoi se cilat ishin ato masa.

“I gjithë sistemi punon në vazhdimësi për ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e vaksinimit me vaksinën MMR, organizon vaksinime shtesë dhe të jashtëzakonshme, edukon prindërit dhe bën gjithçka për ta ngritur atë në nivelin e imunitetit kolektiv që mbron shëndetin e qytetarëve të Malit të Zi. Megjithatë, pavarësisht kësaj, kërkojmë nga prindërit që të kuptojnë seriozitetin e situatës dhe të vaksinojnë sa më shpejt fëmijët e tyre. Përvojat që kemi fituar gjatë pandemisë Covid-19 na kanë mësuar se masat represive janë katastrofike për shëndetin e përgjithshëm dhe veçanërisht atë mendor të popullatës, por edhe për ekonominë e vendit”, thuhet në përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë.

SHARE