Në një fjalim drejtuar kombit nga zyra Ovale në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Joe Biden u kërkoi amerikanëve që të ulin tensionet pas tentativës për vrasje ndaj ish-Presidentit Donald Trump.
Sulmi ndaj ish-Presidentit Trump është një thirrje ndaj të gjithëve ne, që të reflektojmë, tha Biden.
“Të shtënat në mitingun e Donald Trump në Pensilvani na bëjnë thirrje të gjithëve që të bëjmë një hap prapa. Fatmirësisht, ish-presidenti Trump nuk është plagosur rëndë. Unë fola me të, jam mirënjohës që ai është mirë dhe unë dhe Jill lutemi që familja e tij të jetë mirë. Nuk ka vend në Amerikë për këtë lloj dhune. Ne nuk mund të lejojmë që kjo dhunë të normalizohet. E dini, retorika politike në këtë vend është ndezur shumë. Është koha për t’u qetësuar. Ne të gjithë kemi përgjegjësi për ta bërë këtë.”
Mes të tjerash kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se demokracia nuk duhet të vendoset nën kërcënim dhe se Partia e tij Demokratike dhe republikanët mund të konkurrojnë fuqishëm mbi vizione të ndryshme politike, por se këtë duhet ta bëjnë në një mënyrë të qytetëruar.
“Mosmarrëveshjet janë të pashmangshme në demokracinë amerikane. Është pjesë e natyrës njerëzore. Por politika nuk duhet të jetë kurrë një fushë beteje. Unë besoj se politika duhet të jetë një arenë për debate paqësore, për të ndjekur drejtësinë, për të marrë vendime të udhëhequr nga Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta jonë, ne mbështesim një Amerikë jo të ekstremizmit. Unë do të vazhdoj të flas fuqishëm për demokracinë tonë, të ngrihem për Kushtetutën tonë, sundimin e ligjit, të bëj thirrje për veprim në kutinë e votimit. Jo dhunë në rrugët tona. Kështu duhet të funksionojë demokracia.”
Presidenti amerikan përmendi edhe sulmin ndaj bashkëshortit të ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe trazirat në Kapitol më 6 janar 2021, të kryera nga mbështetësit e Trump.
Duke cituar themeluesit e vendit, Presidenti e përfundoi fjalimin mbi rëndësinë e ruajtjes së “një demokracie amerikane ku mirësjellja, dinjiteti nuk janë thjesht nocione të çuditshme, por janë ato që duhet të zbatohen me përgjegjësi në realitet”.
Kjo ishte hera e tretë që Biden e shfrytëzoi Zyrën Ovale për të komentuar çështje me rëndësi të madhe për amerikanët, që kur mori pushtetin në vitin 2021.
Tetorin e kaluar, ai mbajti një fjalim për konfliktet në Gazë dhe në Ukrainë, ndërsa në qershor të vitit 2023 iu drejtua amerikanëve për një marrëveshje me republikanët lidhur me buxhetin.