RRITET ÇMIMI I KAFESË ME RRETH 20 PËR QIND

Siç ishte paralajmëruar edhe më parë, çmimi i kafesë është rritur në Mal të Zi. Prej dy ditësh, paketat e kafesë 100 dhe 200 gramë janë 10 deri në 20 centë më të shtrenjta në tregjet malazeze, që është rreth 20 për qind.

Në marketet e Podgoricës 100 gram kafe Kopa kushton 1.39 euro, 200 gram 2.79. Një qese 100 gramëshe kafe MMS kushton 1,29 euro dhe një qese 200 gramëshe 2,59 euro.

Deri vonë, 100 gram kafe në supermarkete kanë kushtuar mesatarisht rreth 1.20 euro.

Kjo rritje çmimi është bërë e ditur në fund të muajit qershor nga disa pronarë të kompanive që e shesin këtë produkt.

Çmimi diktohet nga rritja e çmimit të kafesë së papërpunuar në nivel botëror, thanë atëherë shitësit dhe siguruan se ishin të detyruar ta bënin atë hap.

Kafeja e papërpunuar mbërrin me anije nga India, Brazili dhe Vietnami, e këtë vit, për shkak të kushteve të motit, atje ka një korrje të dobët.

E gjithë kjo ndikoi që çmimi i kësaj lënde të parë në bursë të rritet me gati 100 për qind.

SHARE