Së paku pesë persona u vranë dhe 34 të tjerë u plagosën nga një sulm i ushtrisë ruse me dronë dhe raketa në qytetin Dnjepër të Ukrainës.
Lajmin e konfirmoi Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës, i cili i bëri thirrje Perëndimit për ndihmë ajrore.
“Vetëm dy gjëra mund ta ndalin këtë terror rus: sistemet moderne të mbrojtjes ajrore dhe armët me rreze të gjata veprimi”, shkroi Zelensky në X.
“Bota mund të mbrojë jetë, për këtë nevojitet vendosmëria e liderëve. Vendosmëria duhet ta bëjë përsëri normë mbrojtjen nga terrori”, shtoi ai.
Më herët, Serhiy Lysak, guvernator i rajonit Dnipropetrovsk, tha në Telegram se sulmi shkaktoi shumë zjarre në qytet.
Në një njoftim tjetër, Forca Ajrore e Ukrainës tha se ka rrëzuar pesë raketa, përfshirë një lundruese, Iskander-K, si dhe gjashtë dronë, që kishin në shënjestër kryesisht Dnjeprin.
Kjo është hera e tretë në pesë ditët e fundit që Dnjepri është shënjestër.
Një ndërtesë e lartë është shkatërruar në një sulm më 28 qershor, ndërsa së paku 12 persona janë plagosur në një sulm me dron më 1 korrik.
Ushtria ruse sulmoi të mërkurën edhe rajonin jugor të Ukrainës, Zaporizhja, duke shkatërruar 14 shtëpi dhe duke plagosur një person.
Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës qysh në shkurt të vitit 2022.
Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.
Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian ka nisur edhe negociatat për anëtarësimin e Ukrainës në radhët e veta.