SPAJIQ: BIZNESMENËT GJERMANË TË INTERESUAR PËR INVESTIME

Kryeministri i Malit të Zi Mlilojko Spajiq, në margjinat e forumit Business Days në Berlin, u takua me disa nga biznesmenët më të mëdhenj gjermanë dhe prezantoi potencialin e Malit të Zi.

“Turizmi, si dega më e rëndësishme ekonomike, është vënë në pah si një mundësi për bashkëpunim shumë më të fortë mes Malit të Zi dhe Gjermanisë dhe ne do të punojmë menjëherë për të. Në këtë kontekst, promovimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe përfaqësuesit e TUI-së gjermane, kompania më e madhe turistike në botë, nga e hëna do të jenë në Mal të Zi për t’u njohur më shumë me ofertën turistike”, njoftuan nga zyra e kryeministrit Spajiq.

Gjatë takimit, siç theksojnë, u vunë në dukje shumë fusha të tjera për forcimin e bashkëpunimit ekonomik.

“Mali i Zi është anëtari i parë i ardhshëm i Bashkimit Evropian, përdor EURO, është pjesë e NATO-s, ka potencial të madh natyror, por edhe burime njerëzore, ndaj ka shumë arsye pse është një zgjedhje e mirë për ardhjen e investitorëve të besueshëm,“ tha kryeministri Spajiq dhe shpjegoi se Qeveria preferon ardhjen e kompanive që duan të hapin vende të reja pune dhe të qëndrojnë në Mal të Zi për një periudhë më të gjatë.

U bisedua edhe për potencialin energjetik, si shansin më të mirë për zhvillim ekonomik, jo vetëm në Mal të Zi por edhe në të gjithë rajonin.

“Prodhimi nga burimet e rinovueshme të energjisë me stabilitet të garantuar dhe vendndodhje të madhe gjeografike janë një mundësi ideale për Malin e Zi që të pozicionohet si një partner i rëndësishëm për vendet e BE-së në atë zonë,” thuhet në njoftim.

SHARE