PRESIDENTJA SLLOVENE: ANËTARËSIMI I SHPEJTË I RAJONIT NË BE DUHET TË PROMOVOHET NË MËNYRË AKTIVE

Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, në kuadër të vizitës së saj zyrtare ka mbajtur një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë, ku ka theksuar se marrëdhëniet mes Sllovenisë dhe Shqipërisë janë miqësore dhe të ngrohta.

Musar është shprehur se bota është e mbushur plot me sfida, duke shtuar se dhuna dhe jo paqja po gjejnë rrugën gradualisht në komunitetin ndërkombëtar.

“U tronditëm të gjithë kur dëgjuam për tentativën e vrasjes së kryeministrit sllovak (Robert) Fico”, tha presidentja sllovene.

“Fatkeqësisht ende duhet të përballemi me trashëgime të sjelljes reaksionare. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është shembulli më i afërt për ne. Pozicioni i vendit tim është i qartë, që Federata Ruse ka shkelur brutalisht rendin ndërkombëtar pas luftës”, tha ajo.

Musar u shpreh se Bashkimi Evropian (BE) pa Ballkanin Perëndimor nuk është BE dhe shtoi se “për këtë qëllim, anëtarësimi i shpejtë i këtij rajoni duhet të promovohet në mënyrë aktive”.

Ajo theksoi se marrëdhëniet mes Sllovenisë dhe Shqipërisë janë të vërteta, miqësore dhe të ngrohta dhe se Sllovenia mezi pret ditën kur të jetë në gjendje të përshëndesë Shqipërinë mes vendeve anëtare të BE-së.

Gjithashtu ajo theksoi se Shqipëria dhe Sllovenia janë partnerë dhe aleatë në promovimin e solidaritetit dhe në përkushtimin ndaj vlerave evropiane.

Presidentja sllovene po realizon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është takuar me presidentin Bajram Begaj dhe pritet të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të vendit.

SHARE