ÇARAPIQ: KONKLUZIONI I TË GJITHËVE ËSHTË SE PROCESI ZGJEDHOR NË SHAVNIK DUHET TË PËRFUNDOJË

Konkluzioni i të gjitha subjekteve politike është se procesi zgjedhor në Shavnik duhet të përfundojë.

Këtë e bëri të ditur në një konferencë për media në Kuvend kryetari i klubit parlamentar të Lëvizjes „Evropa Tani“ Vasilije Çarapiq, pas një takimi të përfaqësuesve të partive parlamentare për situatën në Shavnik.

Ai theksoi se ka pasur propozime konkrete nga organizata joqeveritare (OJQ) Qendra për Tranzicion Demokratik (CDT) për të paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

“Kjo është diskutuar dhe askush nuk ka asgjë kundër. Nëse Gjykata Kushtetuese është proaktive, ata mund ta zgjidhin këtë problem,” shtoi Çarapiq.

Një propozim tjetër që do të shqyrtohet, shtoi ai, është që të komunikohet me Qeverinë për vendimin e saj për administrimin e detyruar.

“Propozimi i dytë, i cili gjithashtu do të shqyrtohet, është që Qeveria të tërheqë vendimin për administrim të detyruar, do të komunikojmë me Qeverinë për të parë qëndrimin e tyre për këtë çështje. Meqenëse presidenti nuk shpalli zgjedhje, ai vendim u zbatua përgjysëm”.

Ai shtoi se është biseduar edhe për vazhdimin e zgjedhjeve.

“Në këtë kontekst, ne kemi hapur derën për të vazhduar bisedimet. Disa subjekte kanë dhënë sugjerime dhe konsensusi është se është e nevojshme të zgjidhet ky problem dhe të zhbllokohet Komisioni i Reformës Zgjedhore”, tha Çarapiq.

Ai tha se “më e lehtë do të ishte që Gjykata Kushtetuese të anulojë të gjithë procesin zgjedhor”.

Ai tha se takimi i radhës ndoshta do të jetë në mes të majit.  

SHARE