Përfaqësuesit e QUINT-it dhe Bashkimit Evropian në Kosovë kanë thënë të mërkurën se ndjejnë keqardhje për deklaratat e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – dhe disa figurave të tjera politike serbe në Kosovë për tërheqje prej procesit zgjedhor që do të zhvillohet më 21 prill në komunat veriore të Kosovës për shkarkim ose jo të kryetarëve shqiptarë.
QUINT-it përbëhet prej Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Në reagim është thënë se edhe ndonëse zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar nuk kanë ofruar zgjidhje politike afatgjatë, “bojkotimi i votimit më 21 prill, nuk do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët që jetojnë në veri”.
“Prandaj ne i bëjmë thirrje Listës Serbe dhe tjerëve që të rishqyrtojnë pozicionet e tyre”.
Kryetarët shqiptarë i kanë marrë pozitat pas zgjedhjeve të mbajtura në prill të vitit të kaluar, në procesin zgjedhor të bojkotuar prej Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Si pasojë e rritjes së tensioneve në veri dhe kërkesave të vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, Qeveria e Kosovës e ka prezantuar në shtator të vitit të kaluar një udhëzim administrativ që parasheh largimin e një kryetari prej pozitës që ka.
Ndonëse Lista Serbe pati marrë pjesë në hapat e parë në iniciativën e mbledhjes së nënshkrimeve për largimin e kryetarëve, ditë më parë ajo ka thënë se nuk do të marrë pjesë në votimin e caktuar në prill në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për largim të kryetarëve atje.
Më 7 prill, Lista Serbe, duke njoftuar se po tërhiqet nga procesi i zëvendësimit të kryetarëve në komunat në veri, ka thënë se procedurat e planifikuara janë “të pamundura” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”.