Zëvendëskryeministri i Malit të Zi njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, theksoi se pas dy muajsh punë kanë arritur dhe zgjidhur shumë çështje dhe kryesorja është stabilizimi i situatës politike dhe rifillimi i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ai më tej tha se është e rëndësishme që drejtimi euroatlantik dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët tanë dhe me partnerin tonë strategjik, SHBA, të vazhdojnë të jenë të forta.
„Nga çështja kombëtare, në buxhet për vitin 2024 kemi projekte me vlerë të parashikuar prej 120 milionë euro në komunat shqiptare, si dhe vendimin e disa ditëve më parë për pagesën e 911 mijë eurove për Komunën e Tuzit. Ishin dy muaj që mund të veçoj nga shumë e shumë punë dhe detyra të tjera të realizuara. Nga kjo shumicë presim sonte që të rritet përqindja e burimeve vetanake të Komunës së Tuzit nga viti i ardhshëm, me miratimin e amendamenteve të deputetëve të Forumit Shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, rritja e fondeve direkte do të jetë deri në afër 1 milion euro,“ theksoi Gjeloshaj.