IVAN IVANAJ DHE FISNIK GJOKAJ, NËNKRYETARË TË KOMUNËS SË TUZIT / VOTOHET BUXHETI PËR VITIN 2024

Sot është mbajtur seanca e VII-të dhe e fundit për këtë vit e kuvendit të komunës së Tuzit, në të cilën Ivan Ivanaj rizgjedhet nënkryetar i komunës së Tuzit.

Gjithashtu në vendin e nënkryetarit duke kompletuar strukturen e komunës së Tuzit u zgjodh politikologu Fisnik Gjokaj. 

Për sekretar të kuvendit u rizgjodh Nermin Alibashiq mandati i të cilit skadon më 31 dhjetor.

Ndërsa nënkryetar i kuvendit, post ky që bëhet në mënyrë vullnetare është zgjedhur Admir Nikaj.

Në seancën e sotme u votua buxheti i komunës së Tuzit për vitin 2024 në vlerën prej 8.053.987€. Shpenzimet rrjedhëse janë planifikuar në shumën prej 3.385.298€, ndërsa transfertat institucioneve, individëve, sektorit publik dhe joqeveritar janë paraparë në shumën prej 1.577.300€, kurse për shpenzimet kapitale janë paraparë 2.615.389€.

Për subvencione për prodhuesit bujqësorë janë paraparë mjetet prej 550 mijë euro.

Kryetari i komunës së Tuzit Lindon Gjelaj theksoi se përveç investimeve nga buxheti i komunës së Tuzit  në bashkëpunim me administraten e projekteve kapitale do ketë investime të shumta si: rikonstruksioni i tregut në Tuz, rikonstruksioni i rrugës Tuz – Hot, ndërtimi i objektit administrativ në Tuz, rregullimi i shtratit të lumit urrela, rregullimi i shtëpisë së kulturës, ndërtimi i shkollës në Dheun e Zi, rindërtimi i një pjese të rrugës Podgoricë – Tuz. 

Po ashtu, është votuar edhe vendimi  për dhenien pa kompensim të tri automjeteve në shfrytëzim të përhershëm të SHPK „Komunale“ Tuz, konkretisht një ekskavator, kamion, automjet për grumbullim të mbeturinave me vlerë prej 64 mijë euro. 

Në seancën e sotme, është votuar me shumicë të nevojshme Propozim Vendimi mbi shfuqizimin  e Vendimit mbi sjelljen e projektit urbanistik „Deponia sanitare me qendër për ricklim“ me arsyetimin se  mbeshtet nevojat për mbrojtjen e interesave të popullsisë lokale, ku janë vërejtur mangësi të cilat e degradojnë hapësiren në kuadër të këtij plan programi.

Gjithashtu, janë votuar edhe programet e punës së QKI „Malësia“ me buxhet prej 320 mijë euro, programi i Organizatës Turistike të Tuzit, çmimorja  e re e SHPK „Tregu“ Tuz, programi për vitin 2024 i SHPK „Komunale“ Tuz me një buxhet afro 1 milion euro, ai i ujësjellësit Tuz me të ardhura të parapara prej 650 mijë euro – ku çmimi i ujit do të jetë më i ulët nga viti i ardhshëm.

SHARE