Shqipëria shënon sot 79-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, ndërkohë në vend janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme nga institucionet qendrore dhe lokale.
Ceremonia qendrore zyrtare për Ditën e Çlirimit të Shqipërisë është organizuar në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Tiranë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të organizatave të veteranëve.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama, deputetë, përfaqësues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe zyrtarë të tjerë bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë Monumentit “Nëna Shqipëri”.
Me rastin e Ditës së Çlirimit, zyrtarë dhe politikanë kanë përcjellë mesazhet e tyre. “Gëzuar Festën e Çlirimit Shqipëri. Nderim përjetë atyre që me guximin, trimërinë dhe sakrificën sublime na dhuruan lirinë”, ka shkruar në rrjetet sociale Presidenti Begaj.
Kryeparlamentarja Nikolla, në mesazhin e saj të publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë, thekson se “29 Nëntori, Dita e Çlirimit, është kurorëzimi i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar”.
“Çlirimi i Shqipërisë është një vepër monumentale e partizanëve shqiptarë, të mbështetur nga populli, të cilët në Luftën e Dytë Botërore e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë”, thekson Nikolla.
“Bashkë me urimin për festën e madhe të çlirimit, ju uroj të gjithëve një ditë të paqtë”, ka shkruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në rrjetet sociale.
Ndërkohë, 29 Nëntori në Shqipëri shënohet si festë zyrtare dhe me rastin e përvjetorit të çlirimit të vendit, aktivitete dhe ceremoni përkujtimore në nderim të dëshmorëve janë organizuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Kujtojmë se 79 vjet më parë, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashistë pas një lufte pesëvjeçare.