Forumi Shqiptar do të marrë vendimin për pjesëmarrjen në qeverinë e re deri të hënën, ka bërë të ditur kreu i listës së Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj.
„Do të shqyrtojmë projekt-marrëveshjen e propozuar, e cila do të analizohet në ditët në vijim dhe do t’i kalojë për vendim organeve të subjektit politik,“ ka thënë Gjeloshaj në profilin e tij në Facebook.
Ai shtoi se matematikisht qeveria mund të formohet pa Forumin Shqiptar.
„Lëvizja „Evropa Tani“ dhe Mali i Zi Demokratik janë adresat që do të marrin përgjegjësinë për komunikimin me partnerët tanë ndërkombëtarë. Qeveria e Malit të Zi zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme, ne mund të jemi pjesë e qeverisë nëse dhe vetëm nëse ajo Qeveri:
– dënon agresionin rus dhe mbron të drejtat e Ukrainës;
– mbështet sanksionet e BE-së kundër Rusisë;
– që mbron të drejtat e popujve pakicë dhe
– respekton sovranitetin e vendeve fqinje të njohura nga shteti i Malit të Zi,“ theksoi Gjeloshaj.
Projekt-marrëveshja e koalicionit që do të nënshkruajnë përbërësit e mundshëm të qeverisë së ardhshme parashikon që zëvendëskryeministri për politikën ekonomike me departamentin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të propozohet nga Forumi Shqiptar.
Departamenti i administratës publike do t’i përkasë Forumit Shqiptar, si dhe do të ketë një zëvendëskryeministër.