DR. MARTIN BOJAJ, FITON ÇMIMIN E PARË TË GJELBËR TË BANKËS QENDRORE TË MALIT TË ZI

Dr. Martin Bojaj është fitues i çmimit të Bankës Qendrore të Malit të Zi (Green Award) për vitin 2023, për veprën më të mirë akademike në fushën e ndikimit të ndryshimeve klimatike në sistemin financiar, e cila është ndarë sot, me rastin e Ditës së Shtetit Ekologjik të Malit të Zi.

Punimi titullohet: “Parashikimi i efekteve makroekonomike të ndryshimeve klimatike në sistemin financiar të Malit të Zi”.

Ndryshimet klimatike paraqesin rreziqe urgjente dhe serioze sistematike dhe sistemike për sektorin financiar me pasoja të rënda për një sërë rezultatesh, duke përfshirë stabilitetin politik, rritjen ekonomike, rritjen e huamarrjes, borxhin publik, papunësinë dhe inflacionin. Megjithatë, mendimi ekonomik, komuniteti akademik, bankat qendrore dhe komuniteti makroprudencial janë të ndarë për sa i përket metodologjive që mundësojnë një analizë të suksesshme të rreziqeve që ndryshimet klimatike sjellin për stabilitetin financiar.

Qëllimi i punimit të veçantë të dr. Bojaj është të adresojë këtë boshllëk.

Kjo është qasja e parë e dedikuar për lidhjen e rrjetit dhe përhapjet dinamike të paqëndrueshmërisë për të matur dhe menaxhuar rrezikun përmes një sërë treguesish të stabilitetit financiar, treguesve të klimës globale, faktorëve kryesorë makroekonomikë, rreziqeve gjeopolitike, çmimeve të energjisë, një tjetër pandemi të madhe, zinxhirit të furnizimit, pabarazisë të ardhurave , rrezikut të borxhit publik dhe stagnimit ekonomik.

Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës Qendrore, Dr. Radoje Zhugiq, theksoi misionin shtytës dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Bankës Qendrore ndaj projekteve të zhvillimit dhe ekonomisë së qëndrueshme, si përmes stimulimit të punës shkencore dhe kërkimore, si dhe nëpërmjet aktiviteteve të tjera me përgjegjësi shoqërore.

“Çmimi i Gjelbër i BQMZ paraqet një nxitje për gjelbërimin e ekonomisë sonë. Ne jemi të detyruar që në bashkëpunim me bankat, të cilat janë pjesa dominuese e sistemit financiar, të mbështesim në radhë të parë projektet që përmbajnë të ashtuquajturat komponentë të gjelbër, konkretisht projektet që përfshijnë elemente të mbrojtjes së mjedisit dhe reduktimit të ndikimit të ndryshimeve klimatike”, tha Zhugiq, duke shtuar se BQMZ do të angazhohet gjithashtu në përfshirjen e segmenteve më të gjera të mundshme të ekonomisë dhe shoqërisë në projektet e qëndrueshmërisë dhe zhvillimit ekologjik.

SHARE