SOT KA FILLUAR VITI I RI SHKOLLOR 2023/24

Sot në të gjitha shkollat e Malit të Zi ka filluar viti i ri shkollor 2023/24.

Me këtë rast shumë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe lokal u kanë uruar nxënësve suksese këtë vit shkollor.

Gjeloshaj: Urime viti i ri shkollor 2023/24

„Të dashur nxënës, të ndëruar mësues, të respektuar prindër, dëshiroj t’ju drejtohem të gjithëve me një urim të përzemërt për fillimin e vitit të ri shkollor, me dëshirën që të gjithë së bashku të punojmë, që të kemi një vit shkollor sa më të mbarë dhe cilësor. Urim i veçantë shkon për të gjithë nxënësit që po fillojnë rrugëtimin e dijes për herë të parë. Urime fillimi i vitit të ri shkollor 2023/24!,” thuhet në urimin e kryetarit të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.

Abazoviq: Viti shkollor të sjellë gëzim, njohuri të reja dhe miqësi për të gjithë nxënësit

Kryeministri në mandatin teknik Dritan Abazoviq ka uruar për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Mijëra fëmijë në mbarë vendin do të fillojnë sot shkollën. Viti shkollor të sjellë gëzim, njohuri të reja dhe miqësi për të gjithë nxënësit tanë, që ata të rriten në njerëz të mirë, të gatshëm për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për vendin tonë krah për krah me bashkëmoshatarët e tyre nga Evropa dhe Bota! Gëzuar fillimin e vitit të ri shkollor”, ka thënë Abazoviq.

Millatoviq Ndërtimi i një shoqërie të begatë mbi bazën e arsimit dhe punës

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, nxënësve të shkollave në Mal të Zi  u ka uruar fillimin e vitit shkollor.

Ai u bëri thirrje të gjitha autoriteteve shtetërore që në periudhën e ardhshme të punojnë edhe më me përkushtim për krijimin e kushteve sa më të mira për një proces arsimor të suksesshëm dhe cilësor për të gjithë nxënësit dhe pedagogët.

“Arsimi është çelësi i suksesit në jetë. Njohuritë që merrni gjatë shkollimit janë po aq të rëndësishme për realizimin e ëndrrave dhe qëllimeve tuaja, si dhe për zhvillimin e aftësisë për të përballuar të gjitha sfidat e jetës. Të dashur mësues, ju faleminderit për këmbënguljen që pavarësisht të gjitha problemet në të kaluarën edhe sot, ju mbani dritën e dijes, duke ndërtuar themelet e një të ardhmeje më të mirë”, tha Millatoviq.

Siç theksoi ai, fillimi i vitit shkollor është një kohë e mirë për t’i kujtuar vetes se vetëm në bazë të arsimimit dhe punës së palodhur mund të ndërtojmë një shoqëri të drejtë dhe të begatë në të cilën të gjithë do të kenë shanse të barabarta për sukses.

Gjuroviq ka uruar një fillim të mbarë të vitit shkollor

Kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, u ka uruar të gjithë nxënësve fillimin e vitit shkollor.

“Uroj një fillim të mbarë të vitit shkollor për të gjithë nxënësit në Mal të Zi, si dhe për të gjithë mësuesit dhe prindërit që gjithmonë e presin këtë ditë me gëzim të veçantë”, ka shkruar Gjuroviq në Twitter.

SHARE