Një recetë tipike, e vjetër dhe e trashëguar brez pas brezi në të gjitha trevat, tasqebapi vijon të mbetet ashtu si dikur një nga gjellët më shijeplota e të mrekullueshme të sofrës shqiptare.
Tasqebapi i shtëpisë padyshim nuk mund të bëjë përjashtim në menunë tradicionale të gjellëve nga duart e nënave dhe gjysheve shqiptare.
Një gatim special, krejtësisht i lehtë për t’u përgatitur, Tasqebapi është një ndër gjellët tipike për një vakt të shijshëm dreke.
Është gjella që nuk mungon në asnjë menu të restoranteve tradicionale shqiptare, e që krahas sigurisht shqiptarëve, kjo pjatë ka mahnitur edhe turistët e huaj duke kënaqur nepsin e tyre me shijen e plotë të saj.
Tasqebapi shoqërohet në mënyrë fantastike me një shumëllojshmëri gatimesh të tjera tipike shqiptare, duke nisur nga pilafi, sallatat e freskëta të çdo stine apo edhe bukë të thekur të marinuar me vaj ulliri e pak kripë.
Por për një shije edhe më të mrekullueshme ai shijon shumë sigurisht me zahiretë e famshme të kuzhinës sonë, sidomos me turshitë e përgatitura nga amvisat shqiptare.
Sipas dëshirës, mund të shoqërohet dhe me garniture perimesh, në mënyrë të veçantë shkon me pure patatesh ose patate të ziera.
Tasqebapi Krejt Lehtë Në Shtëpi
(Përbërësit e kësaj recete janë për 4-5 persona)
- 500 gr mish
- 2-3 kokrra qepë
- 4-5 lugë gjelle vaj ulliri
- 1 lugë gjelle me miell
- gjysmë filxhan çaji me verë
- 1 gjethe dafine
- gjysmë lugë gjelle me salcë ose 2-3 kokrra domate mesatare
- 3-4 thelbinj hudhra
- kripë dhe pak spec i kuq
Përgatitja
Tasqebapi zakonisht, përgatitet me mish viçi ose dashi.
Mishi tul pritet në shirita të hollë në drejtimin e kundërt të fijeve ose në copa katrore.
Skuqet në yndyrë së bashku me qepët e prepra fije-fije, derisa t’i avullojë uji dhe krijohet një shtresë e kuqe.
Shtohet mielli, skuqet edhe pak, shuhet me verë, hidhet salcë domatesh, gjethe dafine, disa thelbinj hudhër, kripë dhe ujë sa të mbulohet mishi.
Lihet të ziejë në zjarr të ngadaltë, derisa gjella të jetë gati.
Tasqebapi shoqërohet me salcën e vet. /AgroWeb.org