Kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, tha se Forumi Shqiptar mbështet liderin e Lëvizjes „Evropa Tani“, Millojko Spajiq, si mandatar për përbërjen e qeverisë.
Këtë e ka bërë të ditur Gjeloshaj sot në Cetinë, pas konsultimeve me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
“Ne mendojmë se mund të arrijmë tek një mandatar që do ta udhëheqë vendin sipas vlerave evropiane. Ne i thamë presidentit se mbështesim Spajiqin si mandatar”, tha Gjeloshaj.
Ai theksoi se janë të përkushtuar ndaj parimeve programore të zhvillimit dhe standardeve më të mira për të gjithë qytetarët.
“Ne respektojmë vullnetin e qytetarëve. Ne i respektojmë të gjithë. Askush nuk ka shumicë absolute. Parimet programore janë shumë të rëndësishme për ne dhe secili që i ndjek ato parime dhe ka pikëpamje të qarta për integrimet evropiane është partner për ne”, tha ai.