MIRATOHET VENDIMI PËR VENDOSJEN E PËRMENDORES SË GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT NË PARKUN E RI NË TUZ

Sot është mbajtur seanca e IV e kuvendit të komunës së Tuzit në të cilën me votën e të gjithë këshilltarëve prezent është miratuar vendimi për ngritjen e përmendores së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeut në Tuz.  

Me këtë vendim është përcaktuar edhe që përmendorja do të vendoset në Parkun e Ri në Tuz pranë shkollës së mesme.

Përmendorja do të jetë prej bronzi të derdhur, dimensionet e bustit në kalë janë: lartësia 5m, lartësia e përgjithshme me shpatë në dorë nga piedestali arrin 6m, lartësia e kalit nga këmba në kokë është 4m, dhe gjatësia 4,20 m. Afati për vendosjen e përmendores është viti 2023 e cila do finansohet nga komuna e Tuzit.

Gjatë seancës së sotme është emëruar Lindon Gjelaj në postin e nënkryetarit të komunës së Tuzit.

Në rend të ditës ishin 23 pika ku është miratuar vendimi mbi ndryshimet dhe plotësimet për buxhetin e komunës së Tuzit për vitin 2022, buxhet i cili është realizuar 91%.

Gjithashtu është miratur edhe vendimi mbi ribalancimin e buxhetit të komunës së Tuzit për vitin 2023, i cili u bë për shkak të rritjes së pagave bruto me nënshkrimin e kontratës kolektive në nivel shtetërorë, rritja e fondeve nga viti i kaluar, zvogëlimi i shpenzimeve për projekte kapitale, pasi që shumë projekte kanë kaluar në investimet e Drejtorisë për Investime Kapitale.

Vlera totale e ndryshimit të buxhetit është 8 milion e 585 mijë e 846,4€.  

Po ashtu, është miratuar vendimi mbi masat për zbutjen e pasojave financiare të shkaktuara nga fatkeqësitë e motit në komunën e Tuzit, ku lirohen të gjithë personat fizik nga tatimi për pagimin e truallit.

Në pikën 5 është votuar mbi kushtet dhe lartësinë e kompenzimit të këshilltarëve, në kosto prej 250€ në muaj.

Në seancën e sotme është bërë verifikimi i vendimit mbi emërimin e Ilir Camaj, drejtor i SHPK „Ujësjellësi dhe Kanalizimi“ Tuz, si dhe Admir Biorac, drejtor i SHPK „Komunale“ Tuz.

Sa u përket raporteve vjetore për vitin 2022, janë miratuar ai i SHPK „Komunale“, „Tregut“, „Ujësjellësi dhe Kanalizimi“, QKI „Malësia“, dhe klubit të futbollit „Deçiq“, i cili u njoftua se nga UEFA është  pranuar në Eka me klubet e mëdha botërore.

Nuk është mbështetur raporti i klubit të basketbollit „Deçiq“, ku nga pozita dhe opozita është cekur se klubi i basketbollit „Deçiq“ duhet të rindërtohet nga e para dhe të formohet një këshill drejtues i ri.

Gjatë seancës 5 orëshe është diskutuar edhe për nevojen urgjente të sjelljes së vendimit mbi marrjen e masave për përmirësimin e shërbimit mbi shëndetin e qytëtareve nga mungesa e mjekëve në trevën e komunës së Tuzit. 

SHARE