KKSH REALIZON PROJEKTIN “POZITA ZYRTARE E GJUHËS SHQIPE NË MALIN E ZI”

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ka realizuar projektin “Pozita zyrtare e gjuhës shqipe në Malin e Zi”.

Në bazë të projektit “Pozita zyrtare e gjuhës shqipe në Malin e Zi”, kryetari i këtij institucioni Faik Nika, u është drejtuar të gjitha komunave në Mal të Zi ku shqiptarët përbëjne mbi 5% të banorëve, konkretisht duke u dërguar rezultatet e realizimit të këtij projektit, të gjithë kryetarëve të Komunave dhe kryetarëve të Kuvendeve të këtyre Komunave, me një shkresë përcjellëse me anë të së cilës njofton për mos zbatimin e gjuhës shqipe në institucione dhe me kërkesen që të merren masa mbrenda institucioneve, me qëllim mundësimin e përdorimit të gjuhës shqipe në të njejtin nivel që përdoret gjuha zyrtare.

Ndër komunat të cilave u është dërguar ky projekt bëjnë pjesë:

1.      Komuna e Ulqinit

2.      Komuna e Tivarit

3.      Komuna e Tuzit

4.      Komuna e Plavës

5.      Komuna e Gucisë

6.      Komuna e Rozhajës   

Në komunën e Tuzit më së shumti janë në përdorim dokumentet të shkruara në dy gjuhë: gjuhë malazeze-gjuhë shqipe në masën 52.50%, pastaj vijnë ato që janë vetëm në gjuhën malazeze 27.50 %, kurse nga 10% ka dokumente vetëm në gjuhë shqipe, aq sa ka edhe në gjuhë shqipe-gjuhë malazeze.

Në komunën e Ulqinit dokumentet vetëm në gjuhën malazeze janë: 62. 20%, kurse në dy gjuhë: gjuhë malazeze-gjuhë shqipe janë 28.80% e tyre dhe vetëm në gjuhën shqipe janë 9% e dokumenteve.

Në komunën e Gucisë 62.85% nga dokumentet të cilat janë marrë si mostër, janë të shkruara vetëm, pastaj janë 25.71% në të cilat përdoret gjuha malazeze dhe gjuha shqipe, kurse në 11.44 % përdoret vetëm gjuha shqipe.

Nga dokumentet që janë marrë në shqyrtim në komunën e Plavës: 66.70%-janë të shkruara vetëm në gjuhën malazeze, kurse në 30% të tyre respektohet dygjuhësia: gjuhë malazeze-gjuhë shqipe, ndërkaq situatat e tjera gjuhësore dalin në një përqindje tejet të vogël.

Duke marrë parasysh të gjitha dokumentet në nivel të komunave të cilat janë marrë për bazë, vërehet se numri më i madh i dokumenteve në gjuhën malazeze është në komunën e Ulqinit 18.66%, kurse më i vogël në komunën e Tuzit, 7.33%

SHARE