SCHOLZ THOTË SE I MIRËPRET SHTETET E BALLKANIT PERËNDIMOR NË BE SA MË SHPEJT

Gjermania dëshiron të mirëpresë vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur, tha të martën kancelari Olaf Scholz.

Shqipëria po bën përparim të mirë drejt anëtarësimit në bllok, theksoi Scholz në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera”, u tha kancelari gjerman gazetarëve, duke shtuar se qeveria e tij do të mbetet një “partner i besueshëm” në përpjekjen e Tiranës për t’u bashkuar me BE-në.

Plani evropian, temë diskutimi në takimin Scholz-Rama

Propozimi evropian – i titulluar “Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi” – ishte një tjetër çështje diskutimi në takimin Scholz – Rama.

Kancelari gjerman tha se pret që ky proces të përfundojë shpejt. “Me të vërtetë kemi të bëjmë me një propozim shumë të peshuar të Gjermanisë e Francës dhe që gjeti pasqyrimin e tij edhe në vendimet e Komisionit Evropian në Bruksel. Në këtë kuadër besoj se ky proces do të përfundojë së shpejti me sukses”, tha Scholz.

Samiti i Procesit të Berlinit, më 16 tetor në Tiranë

Kancelari gjerman njoftoi se samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit do të zhvillohet më 16 tetor në Tiranë.

Kryeministri Rama tha se në këtë samit do të bëhet bilanci i arritjeve të këtij procesi.

“Bashkëpunimi rajonal është e vetmja rrugë që ne kemi dhe në këtë rrugë jemi me fat se Gjermania është një bashkudhëtar i vëmendshëm dhe i përfshirë drejtpërdrejt”, tha Rama.

Kryeministri Rama ndodhet në Berlin në një vizitë zyrtare. Atje, ai pritet të takohet edhe me përfaqësues të bizneseve gjermane për të diskutuar mbi perspektivën e Shqipërisë, në kuadrin e zhvillimit turistik rajonal, si dhe rolin bashkëpunues të Gjermanisë në këtë drejtim, përmes investimeve në këtë sektor, si dhe turistëve të saj.

SHARE