Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj nënshkroi sot një Memorandum Mirëkuptimi në emër të Malit të Zi me kreun e Këshillit të Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe, Dr. Mohamed Hamad Al-Kuwaiti në Dubai, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Administratës Publike.
„Është një nder dhe kënaqësi e madhe për mua që sot kisha rastin të nënshkruaj Memorandumin e Bashkëpunimit dhe Mirëkuptimit në emër të Malit të Zi. Pres që si rezultat të kemi mundësinë të realizojmë idetë tona ambicioze në përputhje me praktikat e avancuara, në një mënyrë më të lehtë dhe më të shpejtë, kur bëhet fjalë për kornizën legjislative, edukimin, parandalimin dhe reagimin ndaj sulmeve të mundshme kibernetike,“ tha Dukaj gjatë nënshkrimit të memorandumit.
Ai shtoi se është i një rëndësie të veçantë fakti që ky memorandum nuk i referohet vetëm Ministrisë së Administratës Publike por edhe të gjitha institucioneve relevante nga sistemi dhe ekonomia e Malit të Zi.
Dukaj falënderoi nikoqirët për besimin e treguar dhe çiltërisinë për bashkëpunim të mëtejshëm.
Siç theksohet në njoftimin për shtyp, nënshkrimi i memorandumit është hapi i parë në realizimin e asistencës së Këshillit të Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe për Ministrinë e Administratës Publike të Malit të Zi për krijimin e Qendrës së Sigurisë dhe Operacioneve të Qeverisë së Malit të Zi CIRT (Ekipi i Reagimit të Incidentit Kibernetik) dhe Agjencisë për Sigurinë Kibernetike.
Ata theksojnë se dokumenti promovon bashkëpunimin në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit, zgjidhjet legjislative dhe rregullatore në atë fushë, përkatësisht bashkëpunimin në parandalimin e rreziqeve kibernetike dhe reagimin ndaj sulmeve kibernetike.