Ekipi malazez i kërkim-shpëtimit u kthye mëngjesin e sotëm nga Turqia, ku morën pjesë në një operacion shumëditor të shpëtimit pas tërmetit shkatërrues që goditi atë vend dhe Sirinë të hënën.
“Në Aeroportin e Podgoricës sot në mëngjes mirëpritëm ekipin malazez të kërkim-shpëtimit që u kthye nga Turqia, ku morën pjesë në një operacion shumëditor të shpëtimit pas tërmetit shkatërrues”, thuhet në faqen e Facebook të Aeroportit të Malit të Zi.
Ekipi përbëhej nga 23 shpëtimtarë, të cilët që nga e mërkura kanë punuar në disa lokacione në pjesën e shkatërruar plotësisht të Hatajit.
Ministria e Punëve të Brendshme tha se ekipi malazez ka punuar në kushte shumë të vështira ditët e kaluara dhe dy persona janë shpëtuar nga rrënojat me aktivitetet e tyre.
Kryetarja e Parlamentit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, u ka uruar mirëseardhjen anëtarëve të ekipit të kërkim-shpëtimit, të cilët janë kthyer mëngjesin e sotëm nga Turqia e goditur nga tërmeti.
“Mirënjohje heronjve tanë që pa rezerva ndihmuan miqtë që pësuan këtë tragjedi të madhe, shpëtuan dy jetë dhe kështu dëshmuan edhe një herë guximin dhe vendosmërinë e tyre për të ofruar mbështetje për këdo që e gjen veten në telashe. Mali i Zi është krenar për ju”, ka shkruar Gjuroviq në Twitter.