Komisioni Kushtetues i Parlamentit të Malit të Zi do të përcaktojë të martën propozimin për zgjedhjen e katër gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në bazë të thirrjes publike të datës 25 dhjetor.
Kryetarja e Kuvendit Danijela Gjuroviq tha se anëtarët e Kolegjiumit të Kuvendit dhe Komisionit Kushtetues në mbledhjen e djeshme kanë arritur marrëveshje për përzgjedhjen e tre kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Ato janë: Snezhana Armenko, Momirka Teshiq dhe Dragana Gjuranoviq. Ajo tha se deri në mbledhjen e Komisionit Kushtetues do të bëhen përpjekje maksimale për arritjen e marrëveshjes dhe shumicës së nevojshme për zgjedhjen e kandidatit të katërt.
Ndërsa, kryetarja e Komisionit Kushtetues, Simonida Kordiq, tha për Radion e Malit të Zi se është inkurajues fakti që është arritur një marrëveshje me dy të tretat për zgjedhjen e tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe se pret që të arrihet marrëveshja adekuate dhe e nevojshme për gjyqtarin e katërt potencial. “Besoj se e vetmja zgjidhje plotësisht e qëndrueshme dhe e vlefshme është zgjedhja e një Gjykate Kushtetuese të plotë, për të punuar dhe vendosur për të gjitha proceset që janë nisur. Në këtë mënyrë do të sigurohet funksionimi i Gjykatës Kushtetuese në mënyrë dhe në kornizën e përcaktuar me Kushtetutë dhe ligjet”, tha Kordiq.